Dita e djeshme ishte tragjike për një familje shqiptare në Itali. Një grua dhe tre fëmijë të mitur humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik.
Bashkëshorti i gruas që vdiq ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Automjeti tip “Fiat” që drejtohej nga Orjol Lame, u përplas me një shtëpi të pabanuar në Parma.
Ai pësoi dëmtime të rënda dhe u dërgua në spital, por djali i tij, Mattiasi, 2 vjeç, bashkëshortja Shane Hyseni, 22 vjeçe dhe motra e vëllai i kësaj të fundit, Rejana dhe Resat Hyseni, 8 dhe 11 vjeç, ndërruan jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Ardian Hyseni, babai i 3 fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Reggio Emilia të Italisë, ka folur për mediat italiane. “Dje në mëngjes i çova në park dhe tani nuk janë më…” tha ai me duart që i dridhen dhe sytë e skuqur nga lotët.
“Ai tregon celularin ku shfaq foto dhe video të fëmijëve të tij”, shkruan Il Resto del Carlino. Ardiani e ka të vështirë ta përballojë dhimbjen.
Nuk ka guxim as të kthehet drejt shtëpisë ku u përplas makina dhe i kthen shpinën. Ai mur i mori njerëzit më të dashur 2 vajzat, djalin dhe nipin.
“Vajza ime Shane insistoi shumë dhe më tha: Babi, po vij të marr Resatin dhe Rejanin sonte. Vishuni mirë, do t’i marrim me vete në darkë.
Ata shkuan të hanin sushi në një restorant japonez në Reggio. Isha i qetë, aq sa më kishte zënë gjumi në shtëpi. Pastaj befas, pas orës 20:00 më telefonoi policia”, tha ai.
Bashkë me gruan, Anjezën shkuan drejt vendit të ngjarjes. Aty e gjithë bota u ra mbi kokë. Anjeza nuk e përballoi dot lajmin e zi.
Ajo ra menjëherë në tokë dhe për pasojë u dërgua në spital. “Një tragjedi pa shpjegim”, thotë Ardiani. Me të në mëngjes, në vendin e ngjarjes shkuan edhe disa të afërm.
Si ndodhi tragjedia shqiptare në Itali? Dinamika dhe fjalët e fqinjëve: Kemi frikë