-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Çfarë dihet për ngritjen e re të gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë?

Kryesoret

Gatishmëria luftarake e Ushtrisë së Serbisë është ngritur për shkak të dronëve që kanë hyrë nga Kosova në Serbi dhe që kanë vëzhguar pozicionet dhe objektet e ushtrisë serbe.

Kështu ka shpjeguar ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, më 2 nëntor, vendimin e presidentit të Serbisë, i cili një ditë më parë kishte dhënë urdhër për vënien e ushtrisë në gjendje gatishmërie.

Nga Kosova kanë demantuar se dronët (fluturake pa pilot) kanë shkuar nga territori i tyre.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha se pretendimet e tilla janë mjet për përhapjen e panikut te qytetarët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë katër vjetëve të fundit, disa herë e ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë.

Urdhrat e tilla janë dhënë për shkak të vendimeve dhe lëvizjeve të ndryshme të autoriteteve në Kosovë, të cilat Beogradi i kundërshtonte dhe të cilat pasoheshin me protesta të pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës.

Tensionet janë qetësuar pas ndërhyrjeve diplomatike të komunitetit ndërkombëtar.

Nga targat te dronët – çfarë thonë në Serbi?

Lajmi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar vënien e ushtrisë në gjendje gatishmërie është bërë i ditur më 1 nëntor nga ministri i Mbrojtjes, duke përmendur si arsye “situatën në Kosovë”.

Vetë Vuçiq nuk ka dhënë ndonjë deklaratë, ndërkaq as ministri Vuçeviq nuk ka shpjeguar pse vendimi i tillë merrej për shkak të Kosovës dhe se çfarë do të thotë kjo konkretisht në praktikë.

Përgjigjet në këto pyetje të Radios Evropa e Lirë (REL) nuk kanë arritur as nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.

Po të njëjtën ditë, ministri kompetent ka vizituar pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në rajonin e Rashkës, afër kufirit me Kosovën, ku po zhvillohet stërvitja tre-javore “Manovrat 2022” për stërvitjen e forcave aktive dhe rezervë të ushtrisë.

Kur u vendos ushtria në gatishmëri?

Urdhri i Aleksandar Vuçiqit erdhi në ditën kur në Kosovë filloi zbatimi i planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe.

Prishtina i konsideron të paligjshme targat me akronimet e qyteteve në Kosovë, të cilat i lëshojnë autoritetet serbe, por deri më tani ato janë toleruar në veri të Kosovës.

“Vendosja e targave ose ndonjë problemi administrativ i ngjashëm, apo ndonjë mosmarrëveshje, nuk janë arsye për të rritur nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Nuk ka kurrfarë arsye për këtë dhe është një lojë për përdorim të brendshëm”, tha për REL-in gazetari Lubodrag Stojadinoviq, ish-kolonel në ushtri.

Një ditë pas urdhrit të Vuçiqit, ministri i Mbrojtjes, në një paraqitje në Radio Televizionin e Serbisë, si arsye konkrete për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë deklaroi se janë pikasur dronët, të cilët “hynë në territorin e Serbisë qendrore nga Kosova”.

Vuçeviq deklaroi se bëhej fjalë “për përpjekje për të monitoruar pozicionin e njësive të Ushtrisë së Serbisë dhe objekteve të caktuara ushtarake, kazermave”.

Ai shtoi se presidenti i Serbisë “duke marrë parasysh përvojën në frontin ukrainas” ka dhënë urdhër që “çdo objekt i tillë të eliminohet ose të vihet nën kontrollin tonë”.

Vuçeviq konfirmoi se Serbia ka aktivizuar edhe aeroplanët luftarakë MIG-29, por ka hedhur poshtë pretendimet e mediave të caktuara se ata janë ngritur për shkak të dronëve.

Ai tha se MIG-ët “kanë kryer patrullimin e rregullt dhe kontrollin e qiellit”.

Me pretendimin se fluturaket pa pilot kanë ardhur nga territori i Kosovës, Vuçeviq nuk ka dhënë më shumë detaje për dronët dhe as për arsyet e ngritjes së aeroplanëve luftarakë.

Çfarë thonë në Kosovë?

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, mohoi se dronët nga Kosova kanë hyrë në Serbi, duke thënë se pretendimet e tilla janë “vetëm një justifikim për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe rreth kufirit me Kosovën”.

“Në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, njoftojmë qytetarët se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta”, ka thënë Mehaj, më 1 nëntor, në një postim në Facebook.

Ministri i Mbrojtjes, Mehaj shtoi se pretendimet e tilla paraqesin një “mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Vuçeviq mohoi se ushtria po koncentrohet “në vijat administrative” me Kosovën, duke thënë se bëhet fjalë për stërvitjet “Manovra 22” që po zhvillohen në të gjithë Serbinë.

Cili është qëllimi i ngritjes së gatishmërisë luftarake të ushtrisë?

Pas ndërhyrjes së NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila u iniciua për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, presidenti i atëhershëm i RFJ-së, Sllobodan Millosheviq pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, forcat ushtarake dhe policore serbe u tërhoqën nga Kosova dhe që atëherë nuk kanë më asnjë autoritet në territorin e saj.

Me përfundimin e luftës, në qershor të vitit 1999, në Kosovë hyri misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, mandati i të cilit vazhdon edhe sot.

“Përdorimi i Ushtrisë së Serbisë apo hyrja e ndonjë ushtari në territorin e Kosovës, praktikisht do të nënkuptonte një konflikt të menjëhershëm me NATO-n. Sigurisht se kjo nuk mund të merret në konsideratë”, tha gazetari Lubodrag Stojadinoviq për REL-in.

Në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia nuk e njeh, por ende nuk ka ushtrinë e saj.

Nën ombrellën e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2013, për t’i hapur rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.

“Vënia e Ushtrisë së Serbisë në gjendje gatishmërie është kërcënim për përdorim të një force që nuk ekziston. Është një lloj krize e imagjinuar që shërben për të treguar forcë për nevojat e brendshme: ‘ne jemi të fortë, do të bëjmë gjithçka, mos u shqetësoni për asgjë’”, tha Stojadinoviq.

Çfarë thonë qytetarët e Serbisë?

“Në rast se janë shfaqur dronët, mendoj se një gjë e tillë është krejtësisht normale. Nuk do të lejojmë askënd të spiunojë ushtrinë”, tha për REL-in Vellko Millovanoviq nga Beogradi, duke komentuar ngritjen e gatishmërisë luftarake.

Tanja Stajiq, nga ana tjetër, tha se beson se “ngritja e atmosferës deri në ndezje nuk është e mirë”.

“Mjaft patëm luftëra në këto hapësira”, theksoi ajo.

Kur ka pasur ushtria serbe gjendje gatishmërie?

Niveli i gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë është ngritur edhe në shtator të vitit 2021, kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat.

Asokohe, pjesëtarët e komunitetit serb, duke kundërshtuar këtë vendim, bllokuan rrugët drejt vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq në vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak u vendosën njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

“Gatishmërinë e plotë ushtarake dhe luftarake të njësive të ushtrisë serbe”, Vuçiq e urdhëroi edhe në maj të vitit 2019, kur Policia e Kosovës, për shkak të korrupsionit, arrestoi në veri të vendit 19 policë, 11 prej të cilëve ishin të nacionalitetit serb.

Më shumë se 10 persona, në mesin e tyre edhe policë, u lënduan në trazirat që ndodhën në barrikadat e ngritura nga pjesëtarët e komunitetit serb, për shkak të aksionit të policisë.

Ushtria e Serbisë ishte “në gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake” në shtator të vitit 2018, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës u vendosën pranë digës dhe liqenit artificial të Ujmanit (Gazivodës).

Ata siguruan vizitën e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në Ujman dhe në vendkalimin kufitar në Bërnjak, në veri të Kosovës.

Ushtria e Serbisë, në mënyrë preventive ngriti gatishmërinë luftarake në fillim të gushtit të vitit 2018, për shkak të, siç njoftoi ushtria në atë kohë, “ngjarjeve të shkaktuara nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

“Vënia e ushtrisë në gatishmëri do të thotë një lloj rrahje e gjoksit, e cila nuk ka asnjë mbulesë në situatën që është në terren”, tha Lubodrag Stojadinoviq, duke komentuar urdhrin e fundit për ngritje të gatishmërisë luftarake të ushtrisë.

Ai shtoi se Beogradi në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojë në politikën e brendshme të Kosovës.

“Kontesti [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] ekziston objektivisht. Ekziston diçka që mund të nxisë incidente të vogla atje. Por, një krizë më e madhe në Kosovë, nuk është e mundshme. Ky është një lloj prodhimi i krizës aty ku nuk ka”, tha Stojadinoviq.

Çfarë thotë ligji?

Sipas nenit 43 të Ligjit për Mbrojtjen, gatishmëria e Ushtrisë së Serbisë përfshin “marrjen e masave për rritjen e aftësive operative dhe funksionale, të cilat janë të nevojshme për parandalimin dhe eliminimin e rreziqeve nga sfidat, rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë”.

Zbatimi i masave të gatishmërisë të gjithë ushtrisë ose të pjesëve të saj, urdhërohet nga presidenti ose ministri i Mbrojtjes, me autorizimin e presidentit dhe nuk ka kohëzgjatje të kufizuar.

“Ushtria vihet në gatishmëri në rast të një rreziku të afërt të luftës, në rast të një krize që kërcënon të krijojë rrezik për vendin, popullatën”, tha Ljubodrag Stojadinoviq.

Cilat njësi do të vihen në gatishmëri, shton ai, varet nga natyra e rrezikut apo krizës.

Ushtria e Serbisë mund të vihet në gatishmëri edhe në kushtet e fatkeqësive të mëdha natyrore, tërmeteve, përmbytjeve, zjarreve dhe ngjarjeve të tjera që kanë përmasat e një katastrofe. /REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit