Mbrëmë ishte një tjetër natë e trishtë për demokratët. Nuk kishte bashkim, por përçarje akoma më të thellë në PD. Grupi i Enkelejd Alibeajt njoftoi se nuk pranojnë qasjen e Sali Berishës duke njoftuar se do të dalin në vete në zgjedhje. Jnë “6 Mars” i dytë. Enkelejd Alibeaj foli në emër të grupit.
Por sot, disa deputetë, mes tyre Dhurata Çupi, por edhe Lefter Gështenja në një prononcim për “5pyetjet.al” ndryshe nga sa shkruante Enkelejd Alibeaj mbrëmë, thanë se janë të hapur për bashkim për të dalë me një kandidat në zgjedhje dhe se asgjë nuk ka mbaruar ende. Referuar deputetëve, pyetja që shtrohet është se kush është atëherë kundër bashkimit?
Dy zërat e fortë kundër janë Enkelejd Alibeaj, emri i të cilit mban edhe deklarata mbrëmë në emër të grupit. I dyti është Gazment Bardhi. Sot tha se ndihej i “keqardhur”. Dhe sigurisht Lulzim Basha, që sipas një pjese të grupit luan fijet pas skene. Megjithatë duket se vulën gjithçka do ia vendosë gjykata e Apelit.
Nesër Gjykata e Apelit në Tiranë ka caktuar seancën që do të përcaktojë se kush do ta mbajë vulën e Partisë Demokratike. Gjykata do të shqyrtojë ankimimin e Partisë Demokratike, kundër vendimit të marrë nga gjykata më 18 mars 2022, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së të 17 korrikut 2021.
PD thekson në akimimin e saj se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit. Një ndër vendimet e rëndësishme të Kuvendit të 18 dhjetorit, ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën.
Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës. Ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës.
Gjyqtarja Blerina Muça pranoi në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.
Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.