Mbrëmjen e sotme, Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar të shumëkërkuarin nga drejtësia italiane, Ilir Paja. Ndalimi i tij u bë në zonën e Laprakës në kryeqytet me qëllim ekstradimin në Itali ku është i dënuar me 25 vite burg.
Ai njihet me nofkën “UFO” nga drejtësia italianë, pasi është arratisur 2 herë nga burgu në mënyrë spektakolare. Në 2017 është liruar me kusht nga gjykata e Krujës pasi vuante një dënim për plagosje të punonjësit të policisë në vitin 2008, Bledi Haxhimali, gjatë një operacioni në Tiranë për arrestimin e tij.
Ilir Paja u lirua nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha në vitin 2017. Me argumentin se vuante nga disa sëmundje, ndonëse kishte edhe një vit burg për të shlyer. Dyshohet se Paja korruptoi gjyqtaren Hoxha, e cila u arrestua më vonë nga SPAK në sallën e gjyqit, duke liruar një tjetër të dënuar.
Po kush është Ilir Paja dhe si e mori ai nofkën ‘UFO’?
Gati një dekadë më parë, Ilir Paja ai mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj. Në vitin 2017, Paja u largua nga burgu i “Fushë Krujës”, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm.
Ai po vuante dënimet me burg, dhënë nga dy vendimet të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Në vitin 2010 “ufoja” i italianeve u dënua me 15 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008. Ai përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Shkalla e Parë e fajësoi për tentativë vrasjeje.
Apeli ndryshoi vendimin, duke e dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Në vitin 2011 Paja mori një dënim me 15 vjet e 4 muaj burg, duke u deklaruar fajtor për një sërë veprash penale të kryera prej tij në Itali.
Ai u gjykua në bazë të materialeve hetimore të përcjella me letërporosi nga autoritetet italiane. Sipas gjykatës, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali.
Në këtë gjykim ai u fajësua për “vrasje”, “rrëmbim ose mbajtjes peng të personit”. Po ashtu, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai ka përfituar disa herë ulje të dënimit, sipas ligjit, për sjellje të mirë në burg.