Pas atentatit që e la atë me plagë plumbash, ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan po trajtohet në spital.
Ish-ylli i kriketit është “në një gjendje të qëndrueshme dhe është mirë” në spitalin e Lahores ku po trajtohet, tha mjeku i tij.
Si ndodhi ngjarja:
70-vjeçari Khan të premten e kaluar filloi një “marshim madhështor” në Islamabad ku morën pjesë mijëra mbështetës të tij, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, hapi i parë për t’u rikthyer në pushtet.
Atentati ndodhi në Wazirabad, rreth 170 kilometra në lindje të kryeqytetit Islamabad. “Të gjithë ata që qëndronin në vijën e parë u goditën,” tha Fawad Chaudhry, një ish-ministër informacioni në qeverinë Khan. Ishte “një tentativë për ta vrarë, për ta vrarë”, tha Rauf Hassan, një këshilltar i afërt i ish-kryeministrit.
Çfarë ndodhi pas sulmit:
Gjatë natës, mijëra mbështetës të Khanit u mblodhën në vendin e sulmit, shumë prej të cilëve mbanin pankarta me slogane politike.
Ministrja e Informacionit Marium Aurangzeb njoftoi dje se një sulmues ishte arrestuar, ndërsa në internet u postua një video në të cilën burri shpjegon aktin e tij.
“E bëra sepse Khan po mashtron qytetarët. U përpoqa ta vrisja, bëra gjithçka që munda”, thotë atentatori që duket se ndodhet brenda një komisariati. Ai shtoi se ishte zemëruar nga zhurma që vinte nga autokolona gjatë ezanit. Ndërkohë vetë Khan njihet si njeri tejet fetar.
Pavarësisht largimit të tij nga kryeministria, Khan gëzon mbështetje të madhe nga pakistanezët.
Që nga prilli, ai ka organizuar mitingje të mëdha në të gjithë vendin, ku marrin pjesë dhjetëra mijëra mbështetës të tij, me qëllim që të ushtrojë presion mbi koalicionin e brishtë qeverisës.