Në datë 9 nëntor Gjykata e Apelit të Posaçëm do të vendosë për fatin e Alqi Bllakos. Në datë 6 Tetor, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako u lirua nga qelia me argumentin se “ka fëmijë të mitur”.
Por SPAK nuk e pranoi këtë vendim duke e apeluar. Prokuroria kërkon rikthimin e tij në burg. Tashmë mbetet për t’u parë vendimi i Apelit pas pak ditësh.
Alqi Bllako akuzohet se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompanitë koncensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues” si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.
Bllako akuzohet për falsifikimin e të dhënave për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall” gjë që ka çuar në një rritje të kostos së shpronësimit me 16 milionë lekë.