Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç deklaroi sot se nuk do të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës deri në momentin që kryeministri Albin Kurti të tërheqë vendimin për targat dhe të nisë formimin e Asociacionit në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel.
“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, ka deklaruar Rakiç pasi dha dorëheqjen nga pozita e ministrit në qeverinë e Kurtit.
Blerim Vela nga zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës ka reaguar pas vendimit të “Listës Serbe” për të braktisur institucionet e Republikës së Kosovës.
Vela ka thënë se Serbia është duke i detyruar dhe nxitur serbët që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës. Ai ka thënë se një akt i tillë i ngjanë asaj nxitjes që Rusia e kishte bërë në Donbas në vitin 2014.
Vela ka thënë se ngjarja e sotme tregon se “Lista Serbe” përdoret si mjet nga regjimi i Aleksander Vuçiçit për të destabilizuar Kosovën.