Policia e Fierit ka arrestuar Orgito Lamkaj dhe Adis Cakës, pasi u kapën duke lëvizur me municion luftarak dhe lëndë narkotike.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Fier dhe Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, evidentuan dhe goditen 2 raste të veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, në kuadër të operacionit policor të koduar “Territori”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi Orgito Lamkaj , 18 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri (pistoletë), municion luftarak dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Territori”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin:
-Adis Caka, 20 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas u kap në lagjen “15 Tetori”, Fier, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit, 20-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza. Në vijim të verifikimeve, rezultoi se shtetasi Adis Caka kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Fierit, po për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.” thuhet në njoftimin e policisë.