Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.
Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai tha para gazetarëve në Paris se ka ekzistuar mundësia që takimi të ndodhë, mirëpo tashmë nuk beson më, duke mos dhënë më shumë detaje.
Një ditë më herët, Kurti, i cili po ashtu sot gjendet në Paris, tha se mund të ndodhë një takim me Vuçiçin.
Kurti dhe Vuçiçi po marrin pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez.
Vuçiç tha, gjithashtu, se presidentit francez ia ka përcjellë “zhgënjimin e popullit tonë në Kosovë e Metohi, sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.
“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thashë se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, tha Vuçiç.
Ai, po ashtu, deklaroi se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pa treguar detaje.
“Por, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka shtuar Vuçiç, duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./REL