Shefi i shtabit të Forcave Ajrore amerikane paralajmëron se ushtria amerikane duhet të ndryshojë nëse dëshiron të ruajë avantazhin përballë Kinës dhe Rusisë. Gjenerali bisedoi këtë javë me korrespondenten e Zërit të Amerikës Carla Babb për të diskutuar se si Forcat Ajrore po i përshtaten kërcënimeve që po ndryshojnë në mbarë globin.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin përqëndruar tek lufta kundër ekstremistëve islamistë në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme, Rusia dhe Kina shtuan gradualisht fuqinë e tyre ushtarake.
Rusia tashmë po i tregon muskujt e saj ushtarakë në Ukrainën fqinje, ndërsa Pentagoni e konsideron Kinën si rrezikun më të madh ndaj sigurisë kombëtare.
Duke folur ekskluzivisht me Zërin e Amerikës, Gjenerali C.Q. Brown Jr., shef i shtabit të Forcave Ajrore, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara nuk duhen të ndjehen të kënaqura me situatën e tanishme, nëse dëshirojnë të vazhdojnë të jenë superfuqia më e madhe në botë.
“Kundërshtarët tanë kanë vazhduar të përparojnë me kapacitetet e tyre, ndërkohë që ne po përdorim të njëjtat kapacitet që kemi përdorur gjatë 30 viteve të fundit. Rreziku me të cilin përballemi nuk do të jetë rreziku që do të kemi në të ardhmen. Prandaj duhet patjetër të ndryshojmë”, thotë Gjenerali Brown./VOA









