Një 55-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Elbasanit, pasi u konstatua me 6 emigrantë të paligjshëm në automjetin e tij.
Sipas Policisë, në pranga ra shtetasi Kujtim Spahiu, banues në Tiranë. Kapja e tij u bë në aksin rrugor Librazhd – Elbasan.
‘Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në vijim të operacioneve me fokus evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Six”.
55-vjeçari u kap në flagrancë, nga shërbimet e Policisë rrugore, në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, duke transportuar me automjetin e tij, 6 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe aparati celular i të arrestuarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.’, njofton Policia.