Zyrtarët polakë inspektuan fazën fillestare të instalimit të pajisjeve të monitorimit të teknologjisë së lartë përgjatë një muri metalik në kufirin me Bjellorusinë, me qëllim parandalimin e kalimeve të mijëra emigrantëve në vendin anëtar të Bashkimit Evropian.
Ministri i Brendshëm i Polonisë Mariusz Kaminski tha se muri 5.5 metra i lartë i ka ulur dhjetëfish përpjekjet për kalim të paligjshëm të kufirit. Policia kufitare e Polonisë tha se numri ditor i kalimeve të emigrantëve ka rënë në disa dhjetëra në krahasim me mijëra që ishin në vitin 2021 dhe në fillim të këtij viti.
Ndërtimi i murit synon të parandalojë atë që autoritetet polake thonë se janë përpjekjet e presidentit autoritar të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko për të shtyrë mijëra emigrantë në Poloni dhe si rrjedhim për të destabilizuar BE-në.
Kalimet nëpër terrene të vështira dhe temperatura të ftohta kanë rezultuar në vdekjen e të paktën 27 emigrantëve, ndërsa autoriteteve polake shpesh u duhet të vijnë në shpëtimin e grupeve të bllokuara në kënetat e largëta.
Kamerat dhe sensorët e lëvizjes janë instaluar deri më tani përgjatë një shtrirjeje prej 21 kilometrash. Instalimi i pajisjeve monitoruese përgjatë gjithë gjatësisë prej 206 kilometrash të murit pritet të përfundojë deri në fund të vitit./REL