-sidi education-spot_img
1.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shaban Murati: Kufizim kushtetues për moshën maksimale të Presidentit dhe Kryeministrit

Kryesoret

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 86, pika 2,  përcakton se president i Shqipërisë mund të zgjidhet vetëm shtetasi, që ka mbushur moshën 40 vjeç. Në këtë mënyrë është pranuar dhe sanksionuar me ligj nevoja e përcaktimt të një kufiri moshe për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Por nuk dihet për çfarë arsyesh është lënë e papërcaktuar se deri në cilën moshë duhet një president të ushtrojë detyrën e tij. Sipas Kushtetutës ai ka të drejtën të jetë në postin e presidentit edhe në moshën 100 vjeç. Kurse neni 96 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që flet për kryeministrin, çuditërisht nuk e përcakton as kufirin e moshës për zgjedhjen e tij dhe as kufirin e moshës maksimale të ushtrimit të mandatit kryeministror.

Pra ligjërisht i bie të zgjidhet kryeministër një person, që sapo ka mbaruar gjimnazin apo universitetin, dhe që adrenalinën e gjen jo te punët e qeverisë dhe të shtetit por diku tjetër, ose një politikan i stërplakur, që nuk ka fuqi me pj. siç thotë populli, është bërë për ta çuar me katër vetë atje ku dihet.

Mungesa e kufizimit kushtetues për moshën më të lartë të kryeministrit dhe të presidentit është një vakum kushtetues, i cili duhet të plotësohet sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, duke ndërmarrë nismën ligjore për ndryshimin përkatës kushtetues për kufirin e maksimal të moshës së ushtrimit të detyrës nga kryeministri dhe presidenti.

Përderisa për gjithë nëpunësit e shtetit ligji përmban kufizimin e moshës së punës deri 65 vjeç dhe për ata që kanë titullin  “profesor” kufizon moshën e punës deri në 68 vjeç, kjo don të thotë se ligji e njeh dhe e përcakton se deri në cilin kufi moshe duhet të ushtrohet e drejta për punë dhe ekziston aftësia që të jepet zyrtarisht në marrëdhënie pune kontributi i dobishëm i njeriut për shoqërinë.

Nuk mund të mos lindë natyrshëm pyetja se pse dhe si bëkan përjashtim nga ligji i shtetit dhe i natyrës kryeministri dhe presidenti dhe qenkan të aftë të ushtrojnë detyrat e tyre më të larta në krye të qeverisë dhe në krye të shtetit në moshën e tretë apo të katërt derisa t‘i thërrasë perëndia.

Ndaj lind nevoja e përcaktimit me kushtetutë të një kufiri maksimal moshe, përtej të cilit nuk duhet lejuar ushtrimi i detyrës së kryeministrit dhe të presidentit të Republikës. Ashtu siç Kushtetuta ka vendosur një kufi kohor për zgjedhjen president të një shtetasi pasi të ketë mbushur moshën 40 vjeç, ashtu duhet të përcaktojë me ligj edhe kufirin e moshës maksimale të ushtrimit të dy posteve më të larta të shtetit.

Mendimi im personal është që për postin e kryeministrit dhe për postin e presidentit të Republikës kufiri kushtetues i moshës maksimale duhet të jetë deri 70 vjeç. Kjo të jetë taksative për partitë politike fituese të zgjedhjeve parlamentare kur propozojnë emrin e kryeministrit, si dhe për parlamentin, kur miraton kryeministrin dhe kur zgjedh presidentin e Republikës.

Zhvillimet politike të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar në një vend të varfër dhe të pazhvilluar si Shqipëria, e bëjnë edhe më të nevojshme përcaktimin me ligj nga Kuvendi Popullor të kufirit të moshës më të lartë për ushtrimin e detyrave të kryeministrit dhe të presidentit.

Së pari, Shqipëria është shtet pa institucione demokratike shtetërore, të cilat të jenë në gjendje që të ruajnë ekuilibrat e pushteteve dhe të sigurojnë dhe të kontrollojnë balancat përballë voluntarizmit të një kryeministri dhe të një presidenti të lodhur nga mosha.

Së dyti, Shqipëria është shoqëri dhe shtet pa tradita demokratike, tradita të cilat ende nuk e kanë gjetur mishërimin e vet në një udhëheqës politik apo  shtetëror të tranzicionit, që të jetë i pranuar nga i gjithë populli.

Së treti, Shqipëria është shoqëri dhe shtet tribal, ku autokratizmi i kreut të tribusë politike ose krahinore ka infektuar me tribalizëm shtetin dhe institucionet gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Lënia hapur pa kufizim kushtetues e moshës më të lartë për kryeministrin dhe presidentin i jep republikës karakter monarkik.

Së katërti, dhe që është shumë e rëndësishme, përtej moshës 70 vjeç biologjia dhe natyra krijojnë për trupin dhe për mendjen e politikanit fazën kur lulëzojnë të gjitha llojet e sëmundjeve, që nga tensioni e deri te demencia, të cilat kanë ndikim direkt në llojin dhe në efektet negative të vendimmarrjes së kryeministrit dhe të presidentit. Pasojat mund të jenë të rënda për kursin politik, ekonomik dhe social të vendit, për fatet e vendit.

Para disa viteve kam botuar nje analizë me titull: ”Sëmundjet, që na qeverisin”, duke analizuar fenomenin e udhëheqësve të plakur të disa shteteve të botës së tretë, presidentë dhe kryeministra, për të cilët dihej publikisht se vuanin nga disa sëmundje të rënda kronike dhe se këto sëmundje prodhonin humor të keq dhe vendime të këqia nga ata udhëheqës qeverie dhe shteti të moshës së tretë.

Do të jetë e gabuar nëse mospëlqyes të këtij propozimi në Kuvendin Popullor do të nxitojnë të përpiqen të argumentojnë të kundërtën me referenca te shtete demokratike si SHBA dhe Italia me presidentët e tyre të tanishëm. Shqipëria nuk është shtet i konsoliduar demokratik dhe as i zhvilluar gjithëanshmërisht si SHBA dhe Italia, të cilat  nëpërmjet institucioneve të forta dhe ekuilibrit të çelikosur të pushteteve, i mbajnë nën monitorim vendimet e presidentëve të moshuar.

Debati për të vendosur një kufi ligjor të moshës më të lartë për presidentin dhe politikanët e zgjedhur është hapur edhe në SHBA. Amerikani më i pasur i botës Elon Musk jep mendimi e tij në këtë debat: ”Le të përcaktohet një kufi moshe pas të cilës ju nuk mund të kandidoni për Zyrën Politike, ndoshta një moshe që të jetë nën 70 vjeç”.

Media amerikane “today.yougov.com” nën titullin “Më shumë se gjysma e amerikanëve mbështesin një kufizim të moshës maksimale për zyrtarët e zgjedhur” publikon rezultatet e një sondazhi, nga i cili rezulton se 58 përqind e amerikanëve shprehen se duhet të ketë një kufizim të moshës maksimale për zyrtarët e zgjedhur. Përqindja më e madhe e të pyeturve 39 përqind shprehen që kufiri i moshës maksimale duhet të jetë 70 vjeç, kurse 24 përqind shprehen që duhet të jetë 60 vjeç.

Shqipëria është shtet i ri, që ende nuk ka krijuar profil të konsoliduar institucionale dhe shtetëror dhe më shumë se kurrë ka nevojë që institucionet të jenë më të forta se sa udhëheqësit. Vendosja e një kufiri kushtetues të moshës më të lartë për ushtrimin e detyrës së kryemnistrit dhe të presidentit do të frenonte feonomenin negativ tipik  të kultit të individit të krerëve të Shqipërisë si plagë që ka grryer demokracinë dhe të drejtën në vendin tonë.

Shpresoj se deputetët e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, partitë kryesore politike, ekspertët e jurisprudencës, të politikës dhe të diplomacisë, mediat dhe shoqëria civile, etj, do mbështesin këtë propozim.

Kuvendi i Shqipërisë të vendosë kufizim kushtetues të moshës maksimale për ushtrimin e detyrës së kryeministrit dhe të presidentit të Republikës./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit