Ndeshja mes kombëtareve të futbollit të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit sot pasdite në Kampionatin në Katar po pritet me interes jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes dy vendeve. SHBA dhe republika islamike kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1980 pas Revolucionit Islamik dhe aktualisht situata mes tyre është e tensionuar. Kur ekipet u përballën me njëri-tjetrin në Botërorin e vitit 1998, ndeshja që u fitua nga Irani, u konsiderua si nga më të ngarkuarat politikisht në historinë e Kupave të Botës.
Ekipet e të dy vendeve e kanë të qartë që nuk bëhet thjesht fjalë për një lojë futbolli. Trajneri i kombëtares amerikane, Gregg Berhalter tha në një konferencë për shtyp se ekipi i tij do ta përdorte firoren e Iranit 2-1 në vitin 1998 për të nxjerrë mësime dhe për të dhënë maksimumin.
Ai anashkaloi në komentet e tij konsideratat politike duke këmbëngulur se ato nuk do të linin në hije entusiazmin për vetë lojën, ku SHBA mund të kualifikohet për raundin e ardhshëm nëse fiton, ndërsa Iranit i duhet vetëm një pikë.
Por në një shenjë se politika është e pranishme, kapitenit të kombëtares amerikane, Tyler Adams iu desh t’i përgjigjej një pyetjeje të një gazetari iranian, i cili pasi vuri në dukje se ai po e shqiptonte gabim emrin e Iranit, kërkoi mendimin e futbollistit amerikan për diskriminimin e afrikano-amerikanëve në SHBA.
“A ndjeheni mirë që përfaqësoni SHBA-në?”, pyeti gazetari iranian.
“Kërkoj ndjesë për shqiptimin e gabuar të emrit të vendit tuaj. Por diskriminim ka kudo. Unë kam mësuar, veçanërisht nga jeta jashtë vendit në vitet e fundit dhe nevoja për t’u përshtatur me kultura të ndryshme, se në Shtetet e Bashkuara, ne vazhdojmë të bëjmë përparim çdo ditë”, tha kapiteni Adam./VOA