Në një njoftim të publikuar në Facebook nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, ka njoftuar se “pako të përgjakshme” që përmbajnë sy kafshësh po dërgohen në disa ambasada ukrainase në Evropë.
Në postimin e tij Nikolenko pretendon se ata që i kanë dërguar pakot i kanë lyer me një lëng me ngjyrë dhe erë të veçantë.
Ai ka theksuar se ata po studiojnë kuptimin e këtij mesazhi.
Dërgimi i këtyre pakove vjen pas një serie letrash në të cilat kishte edhe bomba të gjetura në Spanjë ditët e fundit.
Pako të tilla janë marrë nga ambasadat e Ukrainës në Hungari, Holandë, Poloni, Kroaci dhe Itali.
Dërgesa të tilla kanë marrë edhe Konsullatat e përgjithshme të vendit në Napoli (Itali), Krakov (Poloni) dhe Konsullata në Brno (Republika Çeke).
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba urdhëroi një protokoll për të shtuar masat e sigurisë në ambasadat dhe konsullatat ukrainase.