Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi një efektiv policie për korrupsion. Ai është Alkind Ndreu, me detyrë specialist i administrimit të dokumenteve dhe anëtar i OASH, i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu u arrestua edhe personi që dha ryshfetin Eduart Caka, ndërsa një tjetër person, B.D. u procedua në gjendje të lirë.
AMP thotë se nga hetimet ka rezultuar se “B.D. kishte arritur të merrte Lejen e saj të Drejtimit, e cila ishte e bllokuar nga OASH me afat 3 mujor, kundrejt një shume prej 70.000 lekësh e dhënë në formën e ryshfetit tek personat përgjegjës. Nga veprimet hetimore në vijim u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i Lejes së Drejtimit që në atë moment posedohej nga shtetasja B.D”.
Vijimi i veprimeve bëri të mundur identifikimin e kapjen e personit ndërmjetës, “Eduart Caka, i cili duke shfrytëzuar njohjet dhe kundrejt shpërblimit financiar të paligjshëm, ka bërë të mundur marrjen e lejes së drejtimit nga punonjësi i policisë Alkind Ndreu, i cili ka detyrimin ligjor të administrimit deri në skadencë të vendimit të OASH dhe dorëzimin e lejes tek shtetasja B.D”.