Çmimi i ri tavan ndaj naftës ruse do të “ndërprisë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave [të presidentit rus, Vladimir] Putin”, thanë Shtetet e Bashkuara.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se çmimi tavan – që u miratua zyrtarisht nga aleatët perëndimorë të premten – erdhi pas disa muajsh punë.
Kjo masë ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 5 dhjetor, apo edhe më herët.
Shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë prekur shumë nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit, dhe ato do të përfitojnë më së shumti nga çmimi tavan, tha Yellen.
Ajo tha se kjo masë do të kufizojë edhe më tej financat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe “do të kufizojë të ardhurat që përdor për të financuar pushtimin e tij brutal”, ndërkaq po ashtu do të shmangë ndërprerjen e furnizimeve globale që mund të çojnë në rritjen e çmimeve të naftës në mbarë botën.
“Me ekonominë e Rusisë që veçse është tkurrur, çmimi tavan menjëherë do të ndërpresë burimin kryesor të të ardhurave të Putinit”, tha Yellen përmes një deklarate.
Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-s (SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.
Të premten, Bashkimi Evropian miratoi çmimin tavan – që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare – pasi bindi Poloninë që të mbështeste këtë masë.