Operatorë telekomunikacioni nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor (BP) nënshkruan ditën e sotme, deklaratën e Roaming, që mundëson uljen e tarifave të roaming midis BE-së dhe BP-së që nga 1 tetori 2023.
“Pyetja e parë që na u bë pasi “Roam Like at Home” (Fol si n’shpi) hyri në fuqi në korrikun e vitit 2021 ishte: kur do të ulen çmimet e roaming me BE-në? Ndaj kjo ishte gjëja e parë për të cilën filluam të punojmë pas atij 1 korriku. Dhe sot jam e gëzuar të them se momenti ‘kur’ erdhi: çmimet e roaming-ut ndërmjet Ballkanit dhe BE-së do të ulen bashkë me rënien e gjetheve në vjeshtën e ardhshme.
Ky është vetëm fillimi i procesit deri në arritjen e objektivit përfundimtar të çmimeve të roaming-ut në nivel të ngjashëm me atë vendas”- deklaroi Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në konferencën për shtyp me Zëvendës Kryeministren Belinda Balluku, Komisionierin për zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, e me përfaqësuesit e operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pas nënshkrimit të Deklaratës.
Konkretisht, kjo do të thotë që çdo operator i telekomunikacionit në BE dhe BP, nënshkrues të Deklaratës, do të konsiderojë prezantimin e planeve lokale tarifore dhe opsioneve të rrjeteve të tyre telefonike me cmime më të ulura për shërbimin roaming.
Ulja e parë e ndjeshme e çmimeve të roaming do të hyjë në fuqi që nga 1 tetori 2023. Është e rëndësishme që politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor të përshpejtojnë zbatimin e reformave të politikave në sektorin e telekomunikacionit, të cilat janë në përputhje me konkluzionet e Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor 2022, me qëllim krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe të një mjedisi më të favorshëm për biznesin. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zbatojnë këto reforma politikash jo më vonë se fundi i vitit 2023.
“Negociatat për të arritur një marrëveshje nuk janë kurrë të lehta. Ndodh edhe që të jenë dhëmbë për dhëmbë. Por kjo Deklaratë është rezultat i angazhimit të ngushtë të operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe BP-së dhe mbështetjes së Komisionit Evropian, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, si dhe angazhimit të autoriteteve të rajonit që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes Rajonale të Roaming të Ballkanit Perëndimor, duke e bërë rajonin e BP të ketë shërbim roaming pa pagesë nga korriku 2021. Muajin e kaluar në Berlin ne bëmë një hap historik përpara me tre marrëveshjet e lëvizshmërisë. Tani roaming me BE-në është një tjetër moment historik që shënojmë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal (CRM) në Ballkanin Perëndimor.”- shtoi Bregu.
Përfitimet janë të shumëfishta: do të kursejë para për qytetarët në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe BE-në ndërsa udhëtojnë në BP dhe BE; do të ulë kostot e funksionimit të biznesit dhe do të inkurajojë të bërit biznes jashtë kufijve. Suksesi i kësaj nisme që ndryshon lojën është historik, veçanërisht pasi ajo është bërë në baza vullnetare mes operatorëve të telekomunikacionit.