I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në Beograd më 5 dhjetor diskutoi për normalizimin e raporteve, por edhe për çështjen e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
Lajçak tha se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është si takim pasues pas rundit të fundit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“Ne po ashtu biseduam për çështjet aktuale, përfshirë kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, udhërrëfyesin e energjisë dhe personat e zhdukur”, shkroi Lajçak në Twitter.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë të hënës tha se me Lajçakun ka diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.
“E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe kushteve më të mira për jetën e të gjithëve qytetarëve”, shkroi Vuçiq në Instagram.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.