Ish-sulmuesi i njohur, Shefki Kuqi, ka bërë së fundmi një deklaratë tronditëse, teksa pretendon se kohë më parë, kur ai ishte pjesë e futbollit të luajtur, FSHF i ka kërkuar 100-200 mijë euro për të veshur fanellën e Shqipërisë.
I ftuar në studion e emisionit sportive “Favorit” në televizionin T7, Kuqi, tashmë në moshën, 46-vjeçare, bëri me dije, se para se të zgjidhte të luante për Finlandën, ishte i interesuar për të veshur fanellën kuqezi, por shifra absurd e kërkuar nga pjestarë të Federatës asokohe, bëri që ai të hiqte dorë dhe të luante për Finlandën, ku u aktivizua 62 ndeshje dhe shënoi 8 gola.
Madje si për ironi të fatit, Kuqi i ka shënuar edhe Shqipërisë, më 1 shtator të vitit 2001 në “Qemal Stafa” në ndeshjen që përfundoi me rezultatin 2-0 për finlandezët. Ish-sulmuesi i lindur në Vushtrri, arriti të luante në nivele të larta futbollistike, si Premier Liga, duke lënë gjurmë me golat e tij. Kuqi gjatë karrierës së tij ka veshur fanellën e klubeve të rëndësishme si Njukastëll, Suonsi, Fulhem, Kristal Palas, etj.
“Të gjithë e dinë që unë nuk e kam pasur mundësinë që të luaj për Kombëtaren shqiptare. Kam dëgjuar plot debate dhe tifozët që kanë thënë jo tradhtari, jo kështu po ashtu. Dëshira ime para se të zgjidhja Finlandën, edhe kam tentuar, ka qenë të shkoja në Kombëtaren e Shqipërisë. Atëherë duhej të jepje lek për të luajtur në kombëtaren e tyre. Lekë me çanta.
Për atë moment që je në fushë, je brenda vijave të bardha, nuk shikohet për kë po luan, e ke punën dhe detyrën tënde, je ti ai që ke vendosur dhe kjo nuk ka krahasim. Lekët mi ka kërkuar federata. Mos gaboj më kanë kërkuar 100-200 mijë euro. Më thanë që do të më ofronin edhe pasaportën. Nuk e kam pranuar, nuk ka qenë e arsyeshme për mua. Unë jam kosovar, nuk kam lindur në Shqipëri dh eta shikoja në atë kënd.
Me federatën e Shqipërisë tani nuk kam asnjë kontakt, por kam dëgjuar dhe raste të tjera që kërkojnë para. Unë i përkrah lojtarët maksimalisht, pavarësisht kombëtares që vendosin të luajnë. E njëjta situatë është dhe me Kosovën. Shumica po lindin jashtë dhe kanë shumë pak qasje me Kosovën. Duhet që puna të kryhet akoma pa mbushur lojtari 18-20 vjeç”, u shpreh Kuqi.