Mbrëmjen e djeshme Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme lëshoi një rrufe në qiell të hapur me një njoftim të paprecedentë. Dikasteri i drejtuar nga Olta Xhaçka deklaroi se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.
“Konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”, shkruhet në njoftim.
Por a është kjo praktikë diplomatike?
Në rrjet pati shumë deklarata dhe aludime se kjo nuk është lapsus diplomatik, por strategji me prapavijë politike. Një pjesë e lidhën edhe me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, që ambasadorja është investuar fuqishëm që ky institucion të mos kapet.
Por si e komentojnë ish-ministrat e Jashtëm këtë deklaratë në kufijtë e një incidenti?
“5pyetjet.al” kontaktoi dy ish-ministra të Jashtëm, Besnik Mustafajn dhe Tritan Shehun. Zoti Mustafaj u shpreh se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, por as në botë, që shteti mikpritës të njoftojë largimin e një ambasadori.
“Unë nuk kam asnjë rast të ngjashëm në kujtesën time, as në paktikën e diplomacisë shqiptare dhe as asaj ndërkombëtare.
Nuk e di nëse është e shkruar apo jo, por nuk di të ketë ndodhur. Edhe nga leximet e praktikave të vendeve të tjera nuk e kam vendosur re. Nuk do i lejoj vetes të bëj supozime. Por në praktikë nuk është” tha ai.
Tritan Shehu ishte akoma më shumë i ashpër. “Këto gjëra ndodhin vetëm në qeveritë afrikane. Kjo është non sens, jo etike dhe diplomatike. Nuk mund të jetë lapsus. Ky është veprim i qëllimshëm, arsyet nuk mund t’i them sot se nuk di. Por nuk mund të jetë lapsus” tha ai.
Por a i cenon kjo raportet mes Shqipërisë dhe SHBA-së? “Nuk e di si do ta marrin ata, por nëse do të isha unë do ta merrja për keq, por kjo është qasje personale” tha Besnik Mustafaj.
Për ish-ministrin Shehu, kjo do të ndikojë. “Kjo do të ndikojë, sepse SHBA duhet të kuptojë çfarë niveli është sistemi diplomatik shqiptar, si keqpërdoret, si janë të gatshëm të deformojmë parimet tradicionale të diplomacisë. Kjo tregon vendosjen e diplomacisë nën thundrën e aventurave politike”.
I pyetur nëse shikon ndonjë lidhje me zgjedhjen e SPAK-ut, Shehu u shpreh se “Nuk dua të bëj të tilla hamendje se nuk i di, por ngjarja është anti-diplomatike dhe anti-etike” tha ai.
“5pyetjet.al” iu drejtua për një koment dhe është në pritje të reagimit të ambasadës së SHBA-së në lidhje me njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ambasadorja Kim e nisi mandatin në janar të vitit 2020 dhe tashmë pas 3 vitesh ajo do të duhet të largohet me përfundimin e tij.