Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka çuar në gjyq dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Shkeljet kryesore janë dy; procedura e dhënies së koncesionet, që është bërë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit, që nuk parashikohet në ligj dhe skema e evazionit fiskal me fatura fiktive duke xhiruar qindra milionë lekë që në fund përfunduan në xhepat e Lefter Kokës si shpërblim.
10 janë personat që shkojnë në gjyq bashkë me dy firmat, fituesin e koncesionit dhe atë që zbatoi punimet. Konkretisht ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Bllako, por edhe pronarët Mirel Mërtiri, Klodian dhe Zoto Stela Gugallja bashkë me dy kompanitë që përdorën “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Gjithashtu në listë janë edhe pesë zyrtarë.
Në gjyq;
Lefter Koka
Alqi Bllako
Etleva Kondi
Jonida Zeqo
Pëllumb Abeshi
Bardhul Çabiri
Serafin Papa
Mirel Mërtiri-Në kërkim
Klodian Zoto-Në kërkim
Stela Gugallja-Në kërkim
Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k
Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Skema fiktive
E ndërsa rolin e zyrtarëve e shpjeguam (lexo këtu), pyetja që shtrohet është se për çfarë akuzohen pronarët e firmave që fituan koncesion për të ndërtuar inceneratorët? SPAK thotë se u provua fakti se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar konçensionin)dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.
Por ku shkuan lekët?
Po sipas SPAK-ut, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, nga shumat monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, ka përfituar shumën monetare prej 308,210,941 lekë, e cila përbën një përfitim material të parregullt, që është marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës së koncensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
Skema dhe Mirel Mërtiri në hije
SPAK ka arritur të provojë se e pandehura Stela Gugalla në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, i pandehuri Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të pandehurin Lefter Koka, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Akuzat
Për veprimet e mësipërme, të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi iprodukteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 iKodit Penal. Ndërsa, i pandehuri Lefter Koka është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi iprodukteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
SPAK “kopsit” inceneratorin e Elbasanit! Në gjyq Koka, Bllako, Mërtiri, Zoto dhe 5 zyrtarë









