Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjeti shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo shkelje konsiston në diskriminimin e romëve dhe egjiptianëve në shkolla.
Më saktësisht kërkuesit janë 18 shtetas shqiptarë me etni rome dhe egjiptiane që së bashku përbëjnë gjashtë familje.
Kërkuesit pretendojnë se nxënësit romë ose egjiptianë përbëjnë 89-100% të nxënësve në shkollën fillore Naim Frashëri, të cilën e ndjekin fëmijët e tyre, në një vit mesatar, përkundër faktit se janë pakicë në qytet.
Kjo çështje i ka kushtuar buxhetit të shtetit 22 500 euro.
Vendimi:
Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.5.2022, për çështjen “X dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesat nr.73548/17 dhe nr.45521/19, përfundimtar në datën 31.8.2022, në shumën 22 500 (njëzet e dy mijë e pesëqind) euro në lidhje me dëmin jopasuror, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2022.
Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.









