Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas dënimit me 26 vjet burg të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Kurti tha se Mustafa ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër por për ta çliruar vendin e vet.
Ai ka kujtuar që masakruesi i tri familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, Sasha Cvetjani i cili ka vrarë 16 civilë shqiptarë është dënuar vetëm 20 vite dhe ka vuajtur dënimin vetëm 18 prej tyre.
“Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri kosovar u shpreh se ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan.
“Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh”, tha ai.
Sipas tij serbët kanë marrë dënime shumë më të lehta se Sali Mustafa.
Kurti ka theksuar se lufta e çdo populli kundër pushtuesve është e drejtë universale.