Policia e Tiranës ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen që tronditi mbrëmë Komunën e Parisit. Dyshimet janë të shumta, por pistë konkrete dhe të arrestuar nuk ka. Vrasja e biznesmenit 49-vjeçar, Edmond Papaj është pa autor. Mbi 15 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Kush ishte spiuni? Ky është tuneli ku u arratis vrasësi i biznesmenit te Komuna e Parisit
Pronari i lokalit, kamarierët, klientët që ishin të pranishëm. Një pjesë e tyre kanë deklaruar se kanë parë një person të maskuar të cilin nuk kanë mundur që ta identifikojnë. Edhe familjes i është marrë dëshmi për konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur biznesmeni.
Dëshmitë e tyre janë përqendruar tek dënimi me 7 vite burg në Greqi për drogë, por asgjë konkrete. Edmond Papa jetonte prej disa kohësh në Britani të Madhe. Gjithsesi përpos pistës së larjes së hesapeve me të shkuarën në tryezën e hetuesve është edhe ndonjë konflikt i mundshëm biznesi.
Papaj, biznesmen ndërtimi, që dispononte disa prona, por edhe një hotel në Sarandë kishte mbërritur të premten në Tiranë së bashku me të ëmën e tij, të cilën e kishte sjellë në kryeqytet për vizitë mjekësore. Papaj kishte shkuar tek banesa e vëllait të tij në zonën e Selitës.
Ai kishte zbritur tek lokali poshtë pallatit për të konsumuar kafe. Autorët duket se kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve dhe po e prisnin që të zbrite për ta qëlluar. Vrasësi erdhi në këmbë dhe u largua po në këmbë qetësisht duke u zhdukur mes rrugicave.
Në lokalin ku ndodhi krimi vijon të mbetet shiriti i policisë dhe të konsiderohet një skenë krimi, pasi nuk kanë përfunduar të gjitha këqyrjet nga ekspertët.