Protesta e studentëve në Tiranë, në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të drejtën e zhvillimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, u shoqërua me thirrje të forta për unitet kombëtar dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, të rinjtë e nisën marshimin drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, duke mbajtur flamujt kuqezi, pankarta, plisa dhe tupana.
“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.
“Ortek kuqezi”- Vijnë nga Maqedonia! Studentët shqiptarë protestë në Tiranë
Çfarë kërkojnë studentët?
Sipas Ligjit për Provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, nuk ekziston ndonjë kufizim që detyron dhënien e provimit vetëm në gjuhën maqedonase. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin e gjuhës shqipe nëse të paktën 20% e qytetarëve flasin këtë gjuhë. Neni 2 dhe Neni 5 i këtij ligji përcaktojnë qartë që institucionet shtetërore dhe gjykatat duhet të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat zyrtare.
Një projektpropozim që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por për shkak të ndryshimeve në përbërjen parlamentare dhe qeverisë, ai u hoq nga agjenda e Kuvendit dhe nuk u diskutua më nga qeveria aktuale. Që nga hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e gjuhëve, Maqedonia e Veriut ka pasur katër ministra të Drejtësisë: Bojan Mariçiç, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht Igor Filkov.
Studentët kërkojnë që ligji të zbatohet plotësisht dhe se çdo qytetar shqiptar të ketë mundësi të japë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tij, pa pengesa administrative apo politike. Protesta e sotme synon të rrisë presionin mbi qeverinë dhe të sigurojë që të drejtat gjuhësore të studentëve shqiptarë të respektohen.









