Një javë nga vrasja që tronditi Tiranën ende nuk ka asnjë të arrestuar. Biznesmeni Edmond Papa u ekzekutua në një lokal te zona e Komunës së Parisit nga një person i maskuar, që u arratis me shpejtësi nëpër rrugicat e lagjes duke humbur gjurmët.
“Për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, po funksion një grup i posaçëm hetimor. Shpresojmë që hetimi të sjellë rezultate pozitive të cilat do t’ua bëjmë të njohura në momentin e duhur”, tha sot drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
Nga grupi hetimor mësohet se për shkak të lidhjeve të viktimës me botën e krimit ka kërkuar informacion në shtetin grek për kontaktet e tij atje dhe për të qartësuar nëse ngjarja e ndodhur në Tiranë ka lidhje me ekzekutimin me lëndë plasëse të Aleksandër Sadikajt i njohur si “Sanço” disa muaj më parë dhe vrasjen e dyfishtë në Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja. Papa u qëllua më disa plumba pak minuta pasi ishte ulur në një lokal pranë banesës së vëllait të tij, teksa dyshohet se ai ndoq për disa javë nga atentatorët.
“Para se të ulej në lokal pranë banesës së të vëllait, ka takuar tre persona në të njëjtën lagje. Janë marrë në pyetje por deri më tani nuk ka një dyshim është është tradhtuar apo jo. Grupi hetimor dyshon se persona të afërt që mund ta kenë ndjekur nga Saranda në Tiranë, kanë pasur informacion të detajuar për lëvizjen e objektivit”, tha gazetarja Xhensila Kodra.
Kush e vrau biznesmenin te Komuna e Parisit? Flet drejtori i policisë Tiranë