Paneli i Kongresit që po heton sulmin e vitit të kaluar në Kapitol të SHBA-ve ka akuzuar ish presidentin Donald Trump për një “komplot shumëpjesësh” për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje tre muaj më parë. Paneli ka publikuar raportin e tij përfundimtar prej 845 faqesh mbi sulmin.
Gjithashtu ai rekomandon ndalimin e zotit Trump nga postet publike në të ardhmen. Trump nuk bashkëpunoi me panelin dhe e shpalli raportin përfundimtar një “gjueti shtrigash” pas publikimit të tij, raporton BBC.
Gjatë 18 muajve, komiteti mbajti 10 seanca dëgjimore publike dhe intervistoi më shumë se 1000 dëshmitarë, duke përfshirë zyrtarë dhe staf të administratës Trump, anëtarë të familjes Trump, oficerë policie të Kapitolit, protestues, anëtarë të milicisë dhe më shumë.
Të hënën, paneli prej shtatë demokratësh dhe dy republikanë rekomandoi që departamenti i drejtësisë të hetojë zotin Trump – i cili po zhvillon një tjetër fushatë në Shtëpinë e Bardhë – për ndihmën e një kryengritjeje dhe tre krime të tjera federale.
Kryetari demokrat i komitetit të përzgjedhur, Bennie Thompson nga Misisipi, shkroi në një parathënie të raportit me tetë kapituj se dikur ishte “e paimagjinueshme” që presidenti i Shteteve të Bashkuara të nxiste një turmë për të marshuar në Kapitol.
KËTU JANË GJETJET KRYESORE, TË CILAT U PUBLIKUAN TË ENJTEN MBRËMA:
1- Komiteti argumenton se Trump vazhdoi të bënte pretendime të rreme për zgjedhjet, edhe pse ndihmësit i thanë atij se ishin të pavërteta
2 – Komiteti thotë se retorika e Trump solli rebelët në DC
3- Trump dështoi të vepronte gjatë trazirave
4 – Grupet e ekstremit të djathtë planifikuan – më pas vepruan
5 – Trump u përpoq t’i bënte presion Zëvendës Presidentit Mike Pence për të përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve
6- Paneli thotë se Trump duhet të ndalohet të mbajë poste publike