Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi duket se i ka humbur durimin për sa i përket pritjes së heqjes së barrikadave nga KFOR në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook ai ka reaguar në lidhje me deklaratat e KFOR-it për mbështetjen e tyre për të gjetur marrëveshje me qëllim të zbutjes së tensioneve në veri.
Abrashi tha se KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave, ndërsa tani që janë bërë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog.
“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura”, shkruan ai.
Ai gjithashtu shtoi se KFOR duhet të përmbush misionin e tij ose barrikadat do t’i heq Policia e Kosovës.
“Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale”, shtoi Abrashi.