Policia e Lezhës ka arrestuar një 30-vjeçar me inicialet B. M. pasi mbante me vete armë zjarri.
I arrestuari po qarkullonte me automjet me 2 shtetas të tjerë në momentin kur është arrestuar.
Në pranga është vënë edhe drejtuesi i automjetit tip “Golf” me inicialet Xh. I. pasi gjatë kontrollit në banesën e tij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu në hetim është edhe pasagjeri tjetër me inicialet G. U. pasi dyshohet se duke pasur dijeni për veprimtaritë kriminale të shtetasve me të cilët shoqërohej, nuk ka kallëzuar.
Në momentin e ndalimit 30-vjeçari ka tentuar të largohet por është kapur menjëherë nga policia.
Pas kontrolleve të kryera ata gjetën një armë zjarri pistoletë, me fishekë në të.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, u gjet edhe një sasi municioni luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, municion luftarak dhe 2 automjete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme në lidhje me rastin.