Të paktën 51 persona kanë mbetur të vdekur shkaku i temperaturave të ulëta në Amerikën e Veriut.
Zyrtarët thonë se 47 persona kanë vdekur në 9 qytete të SHBA-së, ndërsa zona më e prekur është qyteti i Bufalos, në Nju Jork.
Ndërkohë,4 vdekje janë shënuar në Kanada pasi një autobus rrëshqiti mbi rrugën e ngrirë afër qytezës Merit në provincën perëndimore të Kolumbisë Britanike.
Një stuhi e tillë kaq e madhe nuk është regjistruar asnjëherë më parë. Ajo shtrihet nga Kanadaja deri në pjesën jugore të Rio Grandes.
Meteorologët thonë se stuhia do të dobësohet gjatë ditëve të ardhshme dhe qytetarët këshillohen t’i shmangin udhëtimet përveç në raste emergjente.
Stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha, por energjia elektrike është restauruar në pjesën më të madhe të SHBA-së.
Më pak se 200 mijë njerëz mbetën pa rrymë gjatë pasdites të së dielës në krahasim me 1.7 milion që ishin në terr më parë.
Mbi 15 mijë fluturime janë anuluar gjatë ditëve të fundit duke penguar kthimin e njerëzve në shtëpi në kohë për festën e Krishtlindjes.
Mbi 55 milionë amerikanë ishin paralajmëruar edhe për erëra me ngrica të dielën. Stuhia dimërore e “ciklonit bombardues” – e cila ndodh kur presioni atmosferik bie, duke shkaktuar borë të dendur dhe erëra – ka ndërprerë udhëtimet nëpër SHBA.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul tha: “Kjo do të hyjë në histori si stuhia më shkatërruese në Buffalo”.
Shteti amerikan në pjesën perëndimore të vendit, Montana ka qenë më i godituri nga të ftohtët me temperatura që bien deri në -45 gradë celsius.
Në Kanada, provincat e Ontarios dhe Kuebekut kanë pësuar dëmet më të mëdha nga kjo stuhi.
Në Kuebek pothuajse 120000 njerëz mbetën pa energji elektrike të dielën. Zyrtarët thonë mund të duhen disa ditë deri të lidhet sërish të gjithë shtëpitë me rrjetin elektrik.