Një 25-vjeçar u arrestua sot në Pensilvani, i akuzuar për vrasjen e katër studentëve të Universitetit të Idahos në nëntor, raportoi NBC News, duke cituar burime të zbatimit të ligjit. I dyshuari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua në zonën e Scranton.
Agjencitë shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit, së bashku me zyrtarët e universitetit pritet të mbajnë një konferencë shtypi më vonë për rastin.
Policia në Moskë, Idaho gjeti trupat e tre grave dhe një burri brenda një shtëpie më 13 nëntor. Autori i kishte goditur viktimat e tij me thikë ose ndonjë send tjetër “të mprehtë”. Viktimat ishin Ethan Chapin, 20 vjeç, nga Conway, Washington, Madison Mogen, 21 vjeç, nga Coeur d’Alene, Idaho, Jeanne Kernodle, 20 vjeç, nga Avondale, Arizona dhe Kylie Goncalves, 21 vjeç, nga Rathdrum, Idaho.
Vrasjet tronditën kampusin. Policia e Moskës tha se kishte marrë më shumë se 13,000 telefonata dhe email nga njerëz që dëshironin të jepnin informacion ose të ndihmonin në hetime. Policia mori deklarata nga të paktën 300 persona.
Policia po kërkonte një Hyundai Elantra të bardhë 2011-13, që besohej se ishte pranë shtëpisë së viktimave në orët e para të 13 nëntorit.