Policia njoftoi sot se ka vendosur 11 makina inteligjente, 16 radarë automatikë dhe dhjetëra patrulla me mjete të paloguara për monitoruar qarkullimin. Pikërisht makinat inteligjente, radarët, por mbi të gjitha edhe makinat që lëvizin pa logon e policisë janë “spiuni” për të kapur shoferët që shkelin rregullat e qarkullimit.
“Mos udhëtoni më shpejt se jeta! Shërbimet e Policisë Rrugore, përgjatë 2 ditëve të para të vitit të ri 2023, kanë intensifikuar monitorimet në akset rrugore dhe në qendrat urbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në të gjitha akset rrugore, 11 makina inteligjente, 16 radarë automatikë, si dhe dhjetëra patrulla me mjete të paloguara, janë duke monitoruar qarkullimin.
Njëkohësisht, vijon monitorimi me përzgjedhje edhe për parandalimin e drejtimit të automjeteve, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, të shmangin pijet alkoolike kur u duhet të drejtojnë mjetin, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe në çdo rast, t’i japin përparësi këmbësorëve” mbyllet njoftimi.