-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Artan Fuga: Na mungon vullneti për të qëndruar bashkë!

Kryesoret

Në konceptet e mia i besoj përkufizimit të Maw Weberit se ndërgjegja kombëtare është vullneti i individëve të një grupi të madh shoqëror, përtej lidhjeve të gjakut dhe fisit, për të jetuar sëbashku duke ndërtuar bashkërisht që jetën e përditshme deri në organizimin e një shteti.

Vullnet i përbashkët pra për të qendruar sëbashku! Ka një milion arësye se përse ky vullnet i përbashkët nuk arriti të ndalojë emigracionin. Një milion – them! Kush thotë tre ose katër, mund t’ja shumëzojmë me dhjetëra e dhjetëra numrin e arësyeve dhe shkaqeve. Logjikat post-aristoteliane nuk merren me gjetje shkaqesh empirike sepse pikërisht zinxhiri i tyre është i pafund. Cdo shkak e ka një shkak 🙂 Ndërkaq, as shkaqet materiale ose objektive nuk na ndihmojnë shumë. Të tilla ka pafund. Por asnjë shkak i jashtëm, na mëson filozofia, nuk merr vlerë nëse nuk pranohet nga subjekti, pra nga ndërgjegja.

Duke thënë këto, përulem me respekt për të gjithë ata që ndërtojnë jetën në emigrim, sikurse edhe për ata që janë në vend. Të gjithë jemi shqiptarë që në liri të plotë zgjedhim rrugët tona në jetë. Një emigrim i fuqishëm e bën të fuqishme Shqipërinë. Nuk na ka faj emigracioni. Po fareeee!

Tani vijmë te vullneti për të jetuar bashkë, kjo forcë gravitacionale që i tërheq individët për të jetuar bashkë. Pse nuk e kemi aq të fortë sa duhet?

Unë mendoj se ne ende nuk e kemi kryer si duhet dhe sa duhet unitetin tonë kombëtar. Atë proces që nisën rilindasit në shekullin e 19-të. Madje, desha të them se deri më sot, nën efektin e propagandës staliniane, i keqkuptuam ata. Ata kërkuan ta ndërtojnë unitetin e kombit, por nuk thanë asnjëherë se ky unitet ishte krijuar!!! Qëllimin e tyre e kuptuam gabimisht sikur ishte konstatim i një procesi të arritur.

Thirrjet e tyre që lini mënjanë dasitë fetare, etj., u trajtuan sikur ata nuk kishin besim te Zoti, sikundër shpreheshin dhe shprehen disa palaço intelektuale! Në fakt, ata kështu konstatonin me dhimbje se shqiptarët ende ndaheshin sipas krahinave, besimeve fetare, dialekteve, dhe nuk kishin farkëtuar ende vullnetin për të qënë bashkë.

Jo se jemi të paaftë, por historia ka ndikuar. Do kohë. Kombet e tjera e kanë krijuar këtë vullnet nisur nga Mesjeta e hershme së paku, pra u janë dashur disa shekuj. Ne na ndodhi që u zaptuam për shekuj, dhe duke na mohuar gjuhën, duke pasur presion mbi lirinë e ndërgjegjes, duke mos pasur elita politike shqiptare brenda vendit, etj. nuk kemi patur kohën e duhur të forcojmë këtë vullnet!

Tragjike është se pas katër a pesë dekadash të krijimit të shtetit kombëtar (të dytit, se i pari ishte i Gjergjit) erdhi izolimi stalinist që kush ikte në kufi e vriste. Kush largohej nga fshati pa leje e kthente përsëri aty ose në burg! Shqiptarët u mblodhën dhe kjo krijoi iluzionin se u krijua forca gravitacionale e të qënurit bashkë. U forcua kombi! Aspak!

Në fakt nuk ishte vullneti, por dhuna që i mbante bashkë!

Sapo diktatura ra, u duk se vullneti për të jetuar bashkë doli sikurse ishte: i dobët! Dhe nisën dy procese. I pari stigmatizimi Jug – Veri, Fshat – Qytet, etj., dhe e dyta emigrim masiv, ikja nga të tjerët. Vullneti për të jetuar bashkë u duk sa i dobët ishte si brenda ashtu dhe jashtë vendit!

Sepse ky vullnet nuk pati kohën e duhur të formohej nga Rilindja Kombëtare, rilindasit që e konstatuan bukur mirë problemin dhe nisën të luftojnë ta zgjidhin atë. Diktatura e zëvëndësoi me dhunë, telat me gjemba, burgjet, çka krijoi iluzionin se ky vullnet ishte. Sapo u liruam, treguam se ku ishim.

Ky është shtrati pastaj ku gëlojnë ato miliona shkaqet që thamë!

Kjo kërkon edukim kombëtar si brenda ashtu edhe në disporën e madhe shqiptare, të nderuar, të fuqishme, jashtë vendit. Ky edukim kombëtar, si edhe politikat ekonomike, sociale, kulturore, etj., për ta rritur forcën gravitacionale midis individëve për të qenë bashkë si vullnet, pavarësisht distancave, është pothhuajse i munguar.

Strategjia është e qartë: Krijim i vullnetit për të jetuar dhe ndërtuar bashkë! Cdo shkatërrim i kësaj – i jep fund kombit!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit