Më 16 dhjetor Serbia i ka dorëzuar kërkesë KFOR-it që një mijë trupa ushtarake dhe policore saj t’i sjellë në Kosovë.
Pasi e shqyrtoi për rreth tri javë, misioni të premten i dorëzoi Beogradit përgjigjen, por pa e treguar përmbajtjen e saj.
“Mund të konfirmojmë se përgjigja e KFOR-it ndaj kërkesës serbe është përcjellë, por nuk hyjmë në detajet e korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së”, kanë thënë nga KFOR-i.
Ndërkohë në mediat serbe është raportuar se përgjigja e KFOR-it është pozitive, pavarësisht që zyrtarët e institucioneve të Serbisë nuk janë deklaruar rreth përmbajtjes së përgjigjes.
E anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kosovë po konsiderojnë që kthimi i trupave serbe në Kosovë është i pamundur.
Kryetari i këtij komisioni, Enver Dugolli u shpreh se kërkesa është pjesë një spektakli të krijuar nga Beogradi.
“Është e pakuptimtë që një ushtri që ka kryer gjenocid në Kosovë të kthehet prapë dhe kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë dhe përgjigje me siguri është në këtë frymë, pra nuk pranohen trupa serbe në Kosovë sepse këtë gjë ata e dinë prandaj krejt kjo është një show i tyre për konsum të brendshëm politik dhe asgjë më tepër”, ka deklaruar Dugolli.
Ai ka treguar edhe arsyen pse një gjë e tillë është e pamundur.
“Çdo trup e huaj në Kosovë, shkon përmes marrëveshjeve që shteti I Kosovës do ti bënte në këtë rast nuk behet fjalë për asnjë marrëveshje me Serbinë sepse ajo nuk e njeh Kosovën”, është shprehur deputeti.
Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri ka shkruar lidhur me këtë kërkesë të Serbisë duke thënë se kësaj të fundit nuk i ka pëlqyer përgjigja që ka marrë nga KFOR-i, sepse po të ishte ndryshe Serbia do të nxitonte ta publikonte. / Telegraf