-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

1 mln lekë dita! Dosja: Zyrtarja që zbuloi skandalin dhe çoi sekretarin në burg

Kryesoret

Pasditen e djeshme Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta, drejtori i shërbimeve mbështetëse në këtë institucion, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi gjyqësor privat, Alban Ruli u arrestuan me urdhër të gjykatës për akuzën e krijimit të një skeme për të vjedhur nga buxheti i shtetit një vlerë prej 145.8 milionë lekësh, që deri tani ka sjellë një dëm real në masën e 48 milionë lekëve.

Dy zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi privat kanë pranuar të dëmshpërblejnë Ilir Thanën në vlerën e 145.8 milionë lekëve, duke e trajtuar si pronar të një objekti pa e pasur këtë status. Kështu Thana dëmshpërblehej për herë të dytë për një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave edhe në vitin 2015. Nga shuma totale prej 145.8 milionë lekësh, 48 milionë lekë kanë kaluar në llogarinë e tij.

Nga hetimi ka rezultuar se Thana ka blerë në vitin 1992 për 103 mijë lekë një objekt + truall nga Drejtoria e Shërbimit Qeveritar dhe A.K e Privatizimit, por në vijim pas një procesi gjyqësor civil, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme. Gjykata ka vendosur që Thanës t’i kthehet pagesa e kryer, e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit.

Si u zbulua?

Skema e mashtrimit është zbuluar pas verifikimit të kallëzimit të kryer nga një bankë e nivelit të dytë ndaj Thanës, i cili ishte kreditor dhe nuk shlyente detyrimin. Nga hetimet ka rezultuar se Thana e ka shitur objektin në fjalë në vitin 2005 tek një shtetas tjetër, kur me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë të vitit 2000 ishte zhveshur nga pronësia. Në shkurt të vitit 2015, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, ka ekzekutuar vendimin e formës së prerë për shpërblimin e Thanës, duke i paguar atij vlerën 284 mijë lekë, sipas indeksit të rritjes së çmimit.

Megjithatë, ai nuk është mjaftuar me kaq, por ka kërkuar të shpërblehet në cilësinë e ish-pronarit të magazinës dhe truallit, megjithëse nuk e ka pasur asnjëherë këtë status. Ai i është drejtuar në vijim një zyre përmbarimore, e cila e ka vlerësuar magazinën në vlerën rreth 70 milionë lekë, por pa arritur ta realizojë ekzekutimin. Edhe një tjetër përmbarues gjyqësor që ka kryer vlerësimin e objektit në masën 82 milionë lekë nuk ka mundur ta ekzekutojë, ndërsa përmbaruesi i tretë e ka vlerësuar atë 145.8 milionë lekë dhe ka filluar ekzekutimin e kësaj vlere në favor të Thanës, në cilësinë e ish-pronarit të pasurive.

Prë çfarë akuzohet sekretari?

Gjokuta akuzohet se ka nënshkruar urdhrin e xhirimit të vlerës së kërkuar nga përmbaruesi i tretë, ndonëse një zyrtare e ministrisë e kishte informuar përmes një memoje se vendimi i Apelit në favor të Thanës ishte ekzekutuar në vitin 2015 dhe se ai nuk mund të paguhej me 145.8 milionë lekë të tjera. Pak ditë më vonë, kjo nëpunëse mësohet se është dorëhequr nga detyra, ndërkohë që në tavolinën e Gjokutës ka mbërritur një memo e dytë, e nënshkruar nga drejtori i shërbimeve, Fatmir Hoxha, i cili ndryshe nga kolegia, kërkonte pagesën e vlerës 145.8 milionë lekë në favor të Thanës. Kanë qenë këto memo provat që kanë vënë nën akuzë Gjokutën dhe Hoxhën.

Si i mori lekët?

Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ilir Thana u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar, i akuzuar për veprën penale të përvetësimit të pasurisë publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme dhe pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.

Dëmi

Në njoftimin e prokurorisë evidentohet se vlera e përcaktuar për t’iu dhënë Thanës në vitin 2022 si shpërblim për magazinën dhe truallin, duke e trajtuar atë si ish pronar ndërkohë që nuk e ka pasur asnjëherë një status të tillë, cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.2 milionë euro. Në favor të Ilir Thanës kaloi vlera 48 milionë lekë. Nga kjo vlerë, 25 milionë lekë janë kaluar në favor të Sh.P., që sipas burimeve të prokurorisë është familjare e Thanës, motra.

“Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur” thotë prokuroria. Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumës që i është kaluar Thanës, prej nga është arritur të gjenden dhe sekuestrohen 22 milionë lekë.

E PLOTË/ Skema me 1.2 mln Euro që arrestoi sekretarin me drejtorin e “Financave” dhe përmbaruesin

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit