Ish-kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare ka nisur betejën me drejtësinë duke ankimuar dënimin e “burgimit të përjetshëm”. Sot gjykata e Elbasanit ka shtyrë seancën për shqyrtimin çështjes. Bare aktualisht po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Në vitin 2017 Kushtetuesja vendosi ta prishë vendimin e gjykatës së Lartë për Aldo Baren dhe ta kthejë çështjen për rigjykim, pasi gjeti shkelje të rënda procedurale dhe konkludoi se të pandehurit nuk i është garantuar një proces i rregullt ligjor. Avokati i tij, Oligert Kume tha se Bare ka bërë kërkesë disa herë për sjellje të mirë.
“Kjo është një ndër seancat gjyqësore lidhur me kërkesën ligjore të Aldo Bares për ulje dënimi. I mbrojturi ka parashkruar një sërë kërkesash për ulje dënimi. Konstatojmë dhe vërejmë se nga Administrata e Burgjeve nuk i vihen në dispozicion aktet apo vlerësimi i sjelljeve.
Sot, është shtyrë për shkak se paraqitja e provave ju vu vetëm gjykatës dhe normalisht duhet koha e duhur. Ne i kemi adresuar prej kohësh administratës së burgjeve, për mosvënien në dispozicion të këtyre pamjeve me argumente paradoksale.
Bare ka paraqitur edhe kërkesa juridike sa i takon edhe vendimit të Gjykatës së Lartë të cilët nuk na lejuan të ishim në seancë. Pasi vendimi i Kushtetueses është përdhosur me një vendim absurd dhe do thosha që kemi të bëjmë me një puç” tha avokati.