Emisarët ndërkombëtarë pas Prishtinës shkuan në Beograd për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Pjesë e delegacionit janë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, i Gjermanisë, Jens Plotner dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Paraditen e 20 dhjetorit, pesë diplomatët qëndruan në Prishtinë, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them.
Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.