Shtatë persona humbën jetën ditën e djeshme në San Francisko pas një sulmi të dyfishtë Autori është arrestuar, tha në Twitter sherifi i San Mateo County, pranë San Franciskos.
“I dyshuari është arrestuar. Nuk ka më asnjë rrezik për publikun në këtë moment”, thuhet në postimin e sherifit.
Sulmuesi i dyshuar, një 67-vjeçar, banues në komunitet, u arrestua rreth dy orë pas të shtënave. Ai ishte në makinën e tij në parkingun e një stacioni policie në Gjirin e Half Moon. Sulmuesi u identifikua si Zhao Chunli.
Në makinën e tij është gjetur edhe arma që besohet se është përdorur në këtë incident. Fillimisht autoritetet njoftuan se ka 4 të vdekur dhe 3 të plagosur rëndë. Pak më vonë, mediat amerikane raportuan se të vdekurit janë 6, ku 4 prej tyre janë punëtorë fermash kineze.
Motivi për të shtënat mbetet i panjohur, thanë zyrtarët e sherifit në një deklaratë.
Më herët në një shtet tjetër amerikan, në Iowa, dy persona u vranë dhe një i tretë u plagos rëndë nga të shtënat me armë brenda një organizate joqeveritare që ndihmon të rinjtë në Des Moines.
“Këta dy persona, dy studentë, janë të vdekur (…). Personi i tretë, i cili punon për organizatën, është në gjendje të rëndë”, shpjegoi për shtypin Paul Parizek, zëdhënës i policisë në Des Moines.
Vdekjet pasojnë masakrën e së shtunës mbrëma në Kaliforni që la pas 11 të vdekur.