-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Artan Fuga: Një artikull shkencor nga Xhamajka për oxhaqet e Myzeqesë!

Kryesoret

Ai email më erdhi nga Xhamajka. Dikur e kisha ditur se ku binte ky vend, por me thënë të drejtën më pas e kisha harruar. Dhe nuk m’u bë vonë ta rigjeja në globin e vogël me drita që mbaj në WC, varur në tavan. Rrotullohet qetë bota mbi kokën time!

Berberi im Qenan K., dikur i famshëm, kishte një shprehje që e përdorte sa herë dikush ja sillte majë hunde duke i rënë kot më kot rreth e rrotull. Nuk thoshte : Pse i bie nga Kina? Por, si pak karagjoz që është, thotë: Ore, pse i bie nga Xhamajka?

Ndërkohë që globi rrotullohej qetë mbi kokën time duke i përhapur xixat e tij si stërkalka të shndritshme, në mënyrë të njëtrajtshme, nëpër mure, ndjeva se në telefon erdhi një notifikim.

Ishte pra ky emaili nga Xhamajka!

Cfarë të lexoj? Vinte nga një kryeredaktor i një reviste shumë shkencore, online, në Australinë e Veriut, i cili në fakt prezantohej edhe si profesor në një Universitet të Laosit.

Dear shoku Artan, zotëri! – fillonte delirin e tij!

Unë jam kryeredaktori i kësaj revistës që është e specializuar në fushën e zakoneve të myzeqarëve dhe të malësorëve të krahut juglindor të shkëmbijve të ishujve Nagasuko në Cekosllovaki!

Në bordin e revistës janë 294 profesorë që mbulojnë të gjitha fushat, që nga pjellja e vezëve deri te mënyra e shkoqitjes të kollopanëve të misrit!

A mund të na bëni një oponencë për artikullin e bashklidhur këtu në këtë email që një studjues i mirënjohur nga Shqipëria ka bërë për çështjen e ikjes të tymit drejt në brimën e oxhakut në kushtet klimatike të Myzeqesë labe në Shqipëri!

Po shkrihesha gazit! Shoh që emaili ishte bërë cc edhe nja 1454 profesorëve dhe akademikëve të tjerë si unë. Të gjithë si unë specialistë të mbëdhenj të tymit të oxhakëve, me libra të botuar në sqarimin e çështjeve të blozës, të gjetheve të fikut, të qymyrit për ngrohje, të hirit, të qosheve të oxhakut, etj. Të gjithë pra të specializuar në fushë!

Dhe ai budallai nga maja e revistës vazhdonte të më mbushte mendjen  atje larg në Xhamajka, se duhej ta bëja atë oponencë meqë një studjues nga malësia e kodrave të Divjakës, sikurse thoshte ai, kishte nevojë ta botonte atë artikull sepse i duhej për t’u bërë profesor, doktor, inxhinjer, docent në universitetin ku kishte tashmë disa vjet që jepte mësim duke mbajtur leksione për sistemin kushtetues në Libi!

Të gjitha kriteret e tjera anësore i kishte plotësuar. I duhej vetëm një artikull si ky ta botonte!

Revista jonë është me faktor impakti në nivelin 16 – shkruante birbua nga revista e Xhamajkës, – që pastaj prezantohej si profesor për furnellat elektrike me gaz në universitetin e Maskaradës, në Saraha!

Nën vezullimin e mekët të rrezeve të dritave që rrotulloheshin mbi kokën time, hap dokumentin e bashklidhur me emailin dhe në pesë sekonda lexoj artikullin. Sipas rregullit të OKB emri i autorit nuk ishte. Kjo për të ruajtur paanësinë në gjykim!

Ende birbua nga Xhamajka, profesor në Laos, specializuar për orangutangët në Sarahanë kineze, shkruante me gërma të vogëla:

“Revista jonë është e nivelit shumë të lartë, e indeksuar në sistemin Gropus, dhe përdor modelin “open souces”, me 500 euro pagesë nga çdo autor që kërkon të botohet te ne. Kohët e fundit janë shtuar shumë artikujt shkencorë nga Shqipëria, Mali i Bardhë, Maçedonia dhe vende të tjera të gadishullit tuaj Apenin!

Nis artikullin. Cfarë të lexoj?

“Myzeqarët ngrohen me dru ose misërishte. Lëpushkat e misrit në zonën e Divjakës përftohen nga pemët e akacjeve. Banorët kur vijnë nga peshkimi, mbjellin vezë peshku në rërë dhe që andej rritet druri i bananes që përdoret për hu zjarri.

Këtë e ka dokumentuar edhe udhëtari i shekullit të 19 -të, Ibn Rruzhdie al Ben Sadat, i cili në një letërkëmbim me fshatarin nga Divjaka Koz Dynjaja, i shkruan me përmallim dhe nostalgji në të dalë të gushtit të vitit 134 para erës të Krishtit: O Kozi a kanë bërë gjethet e misrit nga vaji i peshkut sivjet? – Kjo frazë është shumë kuptimplote dhe është çelësi për të kuptuar se përse tymi nga oxhaku ikën drejt, ose shtrembër! është hera e parë që botohet!

Këtë e verifikon edhe një studim kolektiv i bërë nga një institut me famë të madhe në Shqipëri që merret specifikisht me mënyrën e ndërtimit të bodrumeve dhe çative të banesës myzeqare si edhe urbanistikën e kryeqytetit të Italisë, Bogota!

Nëpërmjet një burimi të tërthortë për mënyrat e funksionimit të oxhaqeve në Myzeqe, marrim dijeni edhe nga një përqasje e krahasuar me oxhaqet në krahinën e Devolli.

Krahina e Devollit ndodhet diku midis kufirit midis Kosovës dhe Greqisë…”

Zura kokën me duar. Telefonin e lëshova përdhe!

Në kërkim të një reviste me faktor impakti, ama shkencore safi, autori a autorja e kishte dërguar shkrimin në Xhamajka! Një klikim larg është. Dhe redaksia e revistës kishte nisur procedurat për vlerësimin e tij!

Qenan K. m’u kujtua. Ula galexhantin dhe bota vazhdonte të rrotullohej qetësisht mbi kokën time.

Për një çast më kaloi në kokë vetimthi mendimi për kriteret e kualifikimit të profesorëve dhe akademikëve!

Pastaj edhe ai më iku nga koka! Galexhanti i trurit kishte bërë mrekullisht punën e vet!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit