Policia e Shtetit njofton se ka ndërhyrë për të çmontuar 47 kamera që ishin vendosur në rrugë në Durrës, Krujë dhe në Shijak në kuadër të operacionit policor të koduar “Fijet”. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private u vendosën 8 persona, 2 në Durrës dhe 6 në Shijak, të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.
Konkretisht;
-Gjatë fazës së katërt të këtij plani operacional, në Durrës, në lagjet nr. 6 dhe nr. 17, janë çmontuar 11 kamera, si dhe janë në hetim, Dejvid Karaboja dhe Plarent Dervishi (aktualisht i shpallur në kërkim për një vepër tjetër penale).
-Plani operacional ka vijuar në Shijak dhe nga kontrolli i ushtruar në qendrat urbane të kësaj bashkie, bazuar në planin e masave të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen e “Keçeve” dhe në lagjet “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani”.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim Albert Muharremi që është vëllai Rrumit, Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avdyli ), Altin Avdyli dhe Saimir Gjepali.
-Gjithashtu, plani operacional “Fijet”, ka vijuar në Krujë dhe në Nikël, ku janë çmontuar dhe sekuestruar 18 kamera të tjera, të vendosura në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit të Krujës dhe në Nikël.
Vijon intensivisht puna hetimore, për identifikimin dhe procedimin penal, të shtetasve që kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme, këto kamera.