Policia e Kosovës njoftoi se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri drejt një veturë patrulluese policore në lokacionin e njohur si Banjskë, në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe. Sipas Policisë, nga ky sulm nuk ka zyrtar të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën policore.
“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur [xhip-opel], në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Autoritetet e rendit thanë se kanë konfiskuar veturën e dyshuar dhe ky rast është iniciuar si vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar. Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në të kaluarën kanë qenë cak i sulmeve të ndryshme.
Incidenti i fundit ndodhi më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, kur dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli dhe Policia shtiu me armë zjarri drejt veturës, duke plagosur një serb. Policia tha se gjatë vozitjes, kjo veturë kishte goditur një makinë policore.
Autoritetet thanë se dy të dyshuarit e këtij rasti, të identifikuar me inicialet D.S dhe M.D, kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje./REL/