Dikur qyteti ishte i njohur për lagjen e vjetër me kalldrëm dhe lagjen e diamanteve, por sot Antwerp në Belgjikë ka marrë etiketimin si “kryeqyteti i kokainës në Evropë”.
Aq shumë “ar i bardhë” u sekuestrua në këtë port vitin e kaluar sa u krijua një “mal” i madh dhe se inceneratorët ishin të paaftë për ta djegur drogën mjaft shpejt.
Trafikantët përdorin banane false plot me kokainë apo ananas të mbushur me pastë kokaine. Ata e fshehin atë në trarë të zbrazët prej druri ose metali dhe në tavane ose dysheme të rreme në kontejnerë.
Viktimat kanë qenë të shumta. “The Sun” shkruan se vitin e kaluar, Bledar Muça, 39 vjeç, i njohur si mik dhe “ushtar” i fisit Çapja në Elbasan që lëvizte me letra false britanike, u vra me gjakftohtësi nga autorët që u fiksuan nga kamerat e sigurisë.
Ministri i drejtësisë Van Quickenborne tha se ai dhe familja e tij janë detyruar dy herë të strehohen në shtëpi të sigurta pas kërcënimeve me rrëmbim që besohet të jenë të lidhura me kartelet e drogës.
“Në shtator u gjet një makinë 100 metra larg shtëpisë sonë, e cila përmbante benzinë, armë dhe gjëra për të lidhur duar.
Ata kishin plane për të më rrëmbyer. Na u desh të qëndronim në një shtëpi të sigurt për një javë” tha ai. Paul Meyer dikur mjeshtër i trafikut të drogës thotë se siguria e tij “rrjedh si uji në sitë”.