Një person i armatosur sulmoi të premten ambasadën e Azerbajxhanit në kryeqytetin e Iranit dhe vrau shefin e saj të sigurisë.
Sulmuesi, i armatosur me një automatik kallashnikov, plagosi edhe dy roje të sigurisë. Policia në Teheran tha se autori u arrestua.
Shefi i policisë së Teheranit, Gjeneral Hossein Rahimi, tha se i dyshuari është i shtetësisë iraniane dhe se mendonte se bashkëshortja e tij me origjinë nga Azerbajxhani po mbahej në ambasadë.
Ministri i jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian tha se motivi i sulmuesit ishte personal.
Ai i tha ministrit të jashtëm azerbajxhanas Jeyhun Bayramov gjatë një telefonate se shpresonte që sulmi nuk do të dëmtonte lidhjet dypalëshe, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Njoftimet e para në mediat iraniane thanë se sulmuesi hyri në ambasadë së bashku me dy fëmijë të vegjël.
Megjithatë, filmimet e kamerave të sigurisë të publikuara në Azerbajxhan, tregojnë se personi i armatosur hyri i vetëm në ndërtesë.
Në filmime gjithashtu duket një oficer iranian i sigurisë që nuk veproi për ta ndalur sulmin.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e quajti sulmin një “akt terrorist”. Në Iran jetojnë miliona azerbajxhanë etnikë turqishtfolës.