Policia e shtetit njoftoi dje se ka çmontuar 47 kamera sigurie në Durrës, Krujë dhe Shijak në kuadër të operacionit që po zhvillohet në të gjithë Shqipërinë.
Nën hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private të tjerëve duke vendosur kamerat janë marrë 8 persona, 2 në Durrës, përkatësisht Plarent Dervishaj dhe Dejvid Karaboja dhe 6 në Shijak; Albert Muharremi vëllai i atij që njihet si “Rrumi i Shijakut”, Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avdyli), Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali.
Praktikisht grupi i Avdylajve në Shijak kontrollonte gjithçka 24 orë kush futej dhe kush dilte jo vetëm në lagjen e tyre por edhe në gjithë qytetin. Por kjo ngjarje kthen në vëmendje një histori të fortë që ende nuk është zbardhur, zhdukjen e Ervis Martinajt në Gusht të vitit të kaluar. Një nga pistat e hetimit ishte se biznesmeni i basteve kishte udhëtuar drejt Shijakut për të kërkuar ndihmën e grupit të Avdylajve.
Disa muaj më parë në banesat e tyre pati edhe kontrolle por nuk u gjet asgjë. Pyetja që shtrohet është nëse autoritetet, policia dhe prokuroria do të çojnë për ekspertim serverin e këtyre kamerave dhe nëse ka mundësi që të rikthehen pamjet e muajve të kaluar për të parë lëvizjet në ditët që u dyshua se “mbreti” i basteve mund të kishte shkuar në Shijak.
Syri i krimit! Avdylajt, vëllai i “Rrumit” dhe Dervishaj blinduan me kamera Durrësin e Shijakun