Po mbushen dy javë që Policia e Shtetit, ka ndërmarë një aksion në çdo qark për shkuljen e dhjetëra kamerave të cilësisë së lartë, që janë vendosur nga eksponentë të grupeve kriminale në qytet ku ata operojnë dhe kanë bazat. Po si lindi e gjitha kjo nismë, që filloi nga Drejtoria e Qarkut të Shkodrës, dhe u shtri edhe në 6 qarqe të tjera?
Vala e aksionit “Sytë e Krimit” u nis në Shkodër, fill pas vendosjes së një sasie tritoli në banesën e oficerit të krimeve, Pëllumb Shpati në lagjen Dobraç. Por në fakt policia ishte vënë në dijeni për mbikqyrjen e rrugëve të qyteteve nga eksponentët e krimit, kohë më parë, kur u bë shpallja në kërkim e Landi Muharremit dhe në Tiranë u realizua vrasja e Edmond Papas.
Kjo pasi njëri nga personat e arrestuar tregoi se lëvizjet e Edmond Papës, i mbikqyrnin edhe përmes disa kamerave të instaluara në Sarandë dhe Tiranë, shkruan gazetari Elton Qyno. Ngjarja e vendosjes së tritolit në banesën e policit, ndodhi pikërisht në 13 Janar 2023, ditën e themelimit të Policisë së Shtetit. Policia kriminale e qarkut të Shkodrës, nisi hetimet për zbulimin e autorëve që kishin vendosur, tritolin në banesën e punonjësit të Policisë.
Por megjithëse rruga ishte e mbushur me kamera të cilësisë së mirë, në ditët e para policia nuk mundi të gjente imazhet e siluetës së personit që kishte lëvizur në rrugë dhe vendosur tritolin. E pafuqishme në këtë drejtim për gjetjen e imazheve dhe duke hasur kundërshtinë e disa eksponentëve kriminalë, për të dorëzuar NVR-të dhe IP-të e telefonave, Drejtori i Qarkut Shkodër, Ervin Hodaj, urdhëroi vartësit shkuljen e çdo kamera të paligjshme, që ishte instaluar në shtyllat e rrugëve të qytetit dhe në zonat strategjike që ata kontrollojnë.