Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën zhvilloi një diskutim me përfaqësues të Universitetit të Arteve mbi sfidat që lidhen me vlerësimin profesional dhe zhvillimin e karrierës së pedagogëve artistë.
Gjatë seancës, kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, theksoi rëndësinë e trajtimit serioz të problematikave që prekin pedagogët dhe artistët, duke nënvizuar se kontributi i tyre në kulturën dhe identitetin kombëtar duhet të marrë vlerësimin e merituar institucional dhe akademik.
“Artistët dhe pedagogët e Universitetit të Arteve kanë një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare. Kontributi i tyre nuk mund të vlerësohet vetëm përmes kritereve tradicionale akademike, pasi veprat artistike janë dëshmi konkrete e punës dhe ndikimit të tyre në shoqëri. Është e domosdoshme që meritat dhe titujt e tyre të njihen plotësisht, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë financiar,” shprehet Ina Zhupa.









