Futbollisti brazilian, Dani Alves gjendet aktualisht në burg në pritje të vendimit nga gjykata pasi po akuzohet për dhunë seksuale.
Klubi Pumas, me të cilin kishte nënshkuar së fundmi kontratë për një vit e gjysmë, nuk është i kënaqur me largimin e futbollistit të cilit do t’i kërkojë edhe dëmshpërblim për thyerjen e rregullave që ishin rreth kontratës.
Mediumi brazilian “UOL” bën të ditur se klubi meksikan ia ka dërguar brazilianit një e-mail, përmes së cilit i kërkojnë 5 milionë dollarë si dëmshpërblim.
Klubi iu referua një klauzole e cila “e penalizon çdo akt që konsiderohet si krim sipas ligjit të vendit në të cilin ka ndodhur”.
Pumas, ndër të tjera ka kërcënuar se do t’i drejtohet FIFA-s dhe çdo autoriteti kompetent për këtë çështje në rast të mos-kompensimit.
Alves po akuzohet për përdhunimin e një vajze në një klub nate të Barcelonës më 30 dhjetor të vitit që lam pas.
Gruaja e tij thuhet se i ka kërkuar divorcin, ndërsa ai rrezikon të dënohet me disa vite burg.