-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Intervistë e dramaturgut Arben Iliazi për “5pyetjet.al”: Pse e shkrova dramën “Osman Taka”

Kryesoret

Pse e shkrova dramën “Osman Taka”

Drama “Osman Taka”, me autor Arben Iliazin, që do të shfaqet premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental më 11 shkurt, duket se pasuron tipologjinë e dramaturgjisë historike, me një vizion e qasje të re regjisoriale, me mesazhe të fuqishme emocionale, e cila pritet t’u japë spektatorëve kënaqësi shpirtërore, mendore dhe estetike, rrallë të provuara. 

Me regji të Naun Shundit, as/regji Kristi Serani, muzikë të Endri Sinës, koreografi të Dion Gjinikës dhe kostumografi të Anila Zajmit, vepra e Arben Iliazit  “Osman Taka” shënon një moment të ri në krijimtarinë e tij. Lojën aktoreske regjisori ia ka besur emrave të njohur të teatrit: Neritan Liçaj, Ervin Bejleri, Ola Harizaj, Romir Zalla. Producent është Alket Veliu.

Në intervistën për “5 pyetjet.al”, autori i kësaj vepre, Arben Iliazi, shprehet se përmes kësaj vepre dramatike është përpjekur për ta ngritur në art historinë e popullit çam, me identitetin e tij kombëtar.

-Pse një dramë historike, pas komedive të sukseshme?

Drama historike ka qasje dhe ndikim jashtëzakonisht të madh tek opinioni publik pasi, që nga fillimi i saj, i është përshtatur disponimit të publikut, për shkak të elementeve patriotike që ka brenda vetes . Është një lloj sfide që me fantazinë tënde të bësh atë që s’e kanë bërë historianët. Ta konceptosh dhe trajtosh historinë duke dalluar dhe shprehur artistikisht shkaqet që e shpunë atë në luftëra të pakuptimta dhe përplasje.

Në rrethanat tona socio-kulturore, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të merremi me identitetin tonë kulturor e kombëtar dhe me vlerat tona identitare.

Jam shumë i emocionuar që u realizua në një kohë të shpejtë ky projekt i madh teatror, falë mbështetjes së producentit dhe mikut tim Alket Veliu, drejtor i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin”.

Regjisori dhe aktori i mirënjohur Naun Shundi ka përgatitur një shfaqje shumë serioze, me një qasje regjisoriale mjaft interesante dhe me një frymë të re, e cila mendoj se do të vlerësohet nga publiku si një shfaqje e denjë.

-Ku zhvillohet ngjarja në vepër?

Drama zhvillohet në shekullin e XIX në ambientet e burgut të Janinës, kur Shqipëria ishte nën sundimin osman. Unë kam synuar ta provokoj këtë realitet, përmes figurës legjendare të Osman Takës. Në fund të fundit kjo është detyra kryesore e dramaturgut, të provokojë. Kuptohet në një sens artistik, duke u folur të vërtetave të mëdha të kohës dhe të atyre që jetojmë dhe duke u munduar t’u gjejmë rrënjët këtyre të vërtetave.

Në këtë vepër kam vënë në pah kotësinë e luftërave dhe urrejtjeve nacionale që shpien në gjakderdhje e kaos, deri në trauma personale e zvetënime morale e shpirtërore, duke krijuar një model frymëzues për forcimin dhe ngritjen e moralit politik dhe kthjellimin e idealit për liri.

-Si arritët ta realizonit artistikisht  figurën e Osman Takës, jo pak të njohur në legjendat shqiptare, por me shumë pak informacion të shkruar rreth tij?

Drama “Osman Taka” mbështetet mbi një legjendë të njohur të historisë. Drama është ngritur mbi një sfond të tillë historiko-shoqëror, që krijon mundësinë të shpaloset kompleksiteti dramatik, historia e njerëzve  që bartin me vete mallkimin e luftërave.

Në këtë vepër nuk kam ndryshuar thelbin e legjendës, por legjenda është përdorur si lëndë e parë burimore, si një platformë mbi të cilën është ndërtuar ngjarja dramatike, e cila është një fikshën. Osman Taka ngërthen brenda vetes një realitet historik të ngjeshur, përmes shumë rrethanave dhe situatave historike që jeton ky hero i Rilindjes Kombëtare, të cilin shumica e shqiptarëve e kanë dëgjuar si një valltar të famshëm me vallen e tij pirrike, që kërcehet kudo në trevat shqiptare, madje dhe në Greqi. Përmes këtij heroi jam përpjekur që të analizoj, me një distancë kohe dhe vështrim kritik, zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha, në frymën e idealeve kombëtare shqiptare, pikërisht përmes veprimit të ndërgjegjshëm dhe kurajoz të kësaj figure tejet interesante, këtij luftëtari të shquar të Çamërisë.

Për të portretizuar figurën e Osmanit kam synuar rendin e lartë artistik dhe estetik, duke u kujdesur për të dhënë frymën e kohës.

-Pra nuk ishte e lehtë të shkruaje “Osman Takën”?

Nuk ishte aspak e lehtë, por ka qenë sfidë e fuqishme, për nga tërësia skenike e pamjeve, për ta shndërruar në një vepër të pasur dhe të ngjeshur ideo-artistike. Drama me temë historike është pjesë e evolucionit të dramës në përgjithësi, që synon ndryshimin e tipologjisë së vetëdijes historike, si dhe ndryshimit të marrëdhënies karshi historisë, ndaj padyshim kërkon përvojë krijuese, që të transmetojnë mesazhe të gjithëkohshme si dëshmi e luftës për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar.

Një dramë tragjike si kjo kërkon shumë përkushtim për ta strukturuar, për shestimin dhe formësimin e elementëve artistike dhe figurativë, kërkon harmonizim të elementëve të dramës dhe tragjedisë historike dhe realiste, me ato të dramës e tragjedisë moderne. Pra, e theksoj përsëri,  kërkon përvojë për shpirtëzuar dramën, për të realizuar cilësisht konfliktin dramatik, të gërshetuar me element të tragjikes, groteskut, satires, për të gdhendur me mjeshtëri figurat e personazheve në kompleksitetin e tyre.

-Mund të themi se roli i fantazisë  është parësor në të gjithë përbërësit e kësaj drame?

Sigurisht, por po kaq të rëndësishëm janë struktura dhe arkitektura e dramës. I kam kushtuar vëmendjen e duhur këtij komponenti, duke u larguar nga narracioni nga situatat e rrethanat pa lidhje organike, nga ngjarjet që copëzojnë veprimin kryesor dramaturgjik, padyshim duke u ruajtur nga skematizmi.

Pra jam përpjekur, edhe me sugjerimet e regjisorit Naun Shundi, të krijoj një unitetit dramaturgjik të veprës, përmes krijimit të figurave komplekse artistike.

-A kemi ne një traditë të pasur në dramaturgjinë historike?

Në traditën tonë dramaturgjike ekzistojnë disa  drama historike, të cilat nuk është se kanë lënë gjurmë, por gjithsesi kanë krijuar një traditë pozitive. Nuk mund të them se jam frymëzuar prej tyre, por thithja e kësaj përvoje, si dhe e përvojës së dramaturgjisë historike botërore, tashmë është bërë natyrshëm pjesë e ndërgjegjes sime krijuese. Mendoj se realiteti shqiptar, nga historia jonë e lashtë deri në ditët e sotme është një minierë e pafund ngjarjesh dhe konfliktesh për të ndërtuar drama të fuqishme, me mesazhe të mëdha.

-Çfarë mendoni se i duhet, para së gjithash, dramaturgjisë shqiptare sot? Si e vlerësoni frymën teatrore në Shqipëri?

Është fakt që drama shqiptare ka mbijetuar, kjo falë pasonit të dramaturgëve, megjithëse të paktë, dhe të atyre regjisorëve që nuk mund ta konceptojnë teatrin pa vepra shqiptare . Por që të realizohet kjo teatrit, ashtu si dhe filmit apo produksioneve të tjera artistike, i duhen paratë, buxheti, i cili tek ne është i kufizuar në krahasim me botën, është fare minimum. Padyshm që arti duhet të jetë nën kujdesin e shtetit në kuptimin që ta zhvillojë atë, ta inkurajojë.

Dramaturgjia kombëtare është sfidë jetike  për këdo që e kultivon këtë format artistik. Duhet të besojmë në dramën shqipe për ta sjellë në skena, sepse ajo ka brumë. Sa i përket frymës teatrore mund të them se kam parë realizime bashkëkohore mjaft cilësore nga disa regjisorë, pa i kategorizuar në të vjetër apo të rinj.

Arben Iliazi: Veprat dhe karriera

Jeta :

1963 Mars 1 – Lindi në Sarandë.

1988 – Diplomohet  në degën Gjuhë- Letërsi Shqipe, Universiteti i Tiranës.

1989 – Emërohet “Libretist” në  Teatrin Profesionist të Estradës, Sarandë

1991 -2023 – Gazetar dhe kryeredaktor në disa të përditshme, Tiranë.

 

Dramaturgji:

“Ciceroni prej plasteline”, komedi 1990, Teatri profesionist Sarande, regjia Thoma Milaj.

-“Burri im me zero kilometër” (komedi-2009) Teatri Aleksandër Moisiu, Durres, regjia Milto Kutali – Donard Hasani.

-“Trashëgimtari”, (komedi-viti 2018), Teatri Kombëtar Eksperimental, regjia Milto Kutali.

– “Farsa e Kurorës” (komedi-2020) Teatri Zihni Sako, Gjirokaster, regjia Ledian Gjeci.

-“Me një këmbë në Parajsë”, monodramë, (Tirane-2021), Atelier 31, regjia Milto Kutali .

-Osman Taka – drame historike (Tirane 2023), regjia Naun Shundi, producent Alket Veliu.

-“Delirium” (drame- viti 2012), vlerësuar në edicionin e 10-të të ETC (European Theatre Convertation – Komiteti Europian i Teatrit) në Teatër Bienale në Wizbaten të Gjermanisë, ku autori është shpallur si një ndër 100  autorët më të mirë në Europë.

Botime:

“5 vepra dramatike” (përmbledhje, Neraida-2003)

Spiritus – dramë(2004)

Tersi i Zulalndit – komedi (2006

Dhëndërri nga Evropa – komedi (2007)

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit