Sot në Elbasan u zhvillua një tjetër seancë për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvanit, e cila nisi prej orës 09:30 dhe zgjati deri në 16:00. Në këtë seancë u dëgjuan dëshmitë edhe të dy punonjësve të policisë.
Në dëshminë e tyre kanë thënë se pranë viktimës dhe vrasësit kishte njerëz të grumbulluar. Pyetjes, nëse njihnin dikë në atë turmë, përgjigja ishte jo.
Avokatja e familjes Rezarta Tahiraj është shprehur:
“Nëse policët që punojnë dhe ndoshta edhe banojnë në Elbasan nuk njohin asnjë në atë turmë kupton shumë. Ndoshta ata persona kishin ardhur nga qytete dhe fshatra të tjera dhe sigurisht nuk ishin turistë dhe nuk ishin sigurisht as edhe miqtë e viktimës që kishte mbërritur aty në makinë i shoqëruar vetëm nga dhëndri i tij dhe nga një person tjetër”.
Sipas avokates Tahiraj, turma e parë nga dy punonjësit e policisë mund të jetë krijuar nga komponentët e skuadrës paramilitare të mbrojtjes së votës dhe nga bashkëpunëtorët e tyre hipotetikë.
Përsa i përket të rejave të mundshme në referim me sinjalizimin e një hipoteze të rrezikut të jetës për një dëshmitar që i është dërguar Prokurorisë pikërisht nga avokate Tahiraj, përfaqësuesja ligjore e familjes së viktimës deklaroi se nuk ka dhe nuk pret përgjigje. Tahiraj sqaron se nuk është avokati mbrojtës i dëshmitarit:
“Nuk e njoh. Nuk di asgjë për të. E kam parë një herë në seancën e procesit gjyqësor. Edhe nëse do më kërkonte që ta mbroja atë si avokat do ta refuzoja. Rasti i tij është i zakonshëm, i thjeshtë dhe unë, që kam zgjedhur të jam avokat për pasion, mund të kem vetëm raste interesante dhe të vështira. Si shtetase – thotë Tahiraj – detyra ime përfundon me sinjalizimin në Prokurori të rrezikut të mundshëm për atë dëshmitar. Çdo vendim pasues është jashtë kompetencave të mia”.